Sulmuesi shkodran Armando Vajushi ka qenë në Shkodër dje dhe madje ka ndjekur nga tribuna VIP e stadiumit “Loro Boriçi” edhe ndeshjen Vllaznia- Flamurtari. Tifozët kuqeblu sigurisht që janë interesuar për ardhjen e tij sepse ka shumë kohë që flitet se ai dëshiron të kthehet tek Vllaznia. I kontaktuar nga gazeta online www.shkodrasport.com, vetë lojtari 21 vjeçar në mënyrë ekskluzive ka bërë të ditur se ka prishur kontratën me Liteksin e Bullgarisë dhe ka hedhur firmë për skuadrën shkodrane.

“Tek Liteks gjërat shkonin shumë mirë për mua por sigurisht më mungonte Shkodra dhe Vllaznia. Për këtë arsye, bisedova edhe me drejtuesit e klubit dhe ata më mirëkuptuan. Madje ata më toleruan duke më lejuar të largohem në fund të sezonit duke kthyer 50 mijë euro, shumë kjo që do paguhet nga Vllaznia. Menjëherë kam mbërritur në Shkodër dhe jatakuar me kryetarin e Bashkisë Lorenc Luka që ka shprehur gatishmërinë e tij për ta paguar këtë shumë dhe kemi firmosur kontratën e re.Kjo do të thotë që unë do jem pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm sepse dëshirojmë të ndërtojmë një skuadër pretendente. Do vijë edhe Sukaj, do kthehet edhe Shtubina, Rajoviç etj. Jam i sigurtë që do ndërtojmë një skuadër të fortë për t’i kthyer titullin kampion Shkodrës pas plot 12 vitesh. Unë për vete bëra sakrificë duke prishur kontratën me Liteksin dhe shpresoj që këtë gjë ta bëjnë edhe futbollistët e tjerë shkodranë që e ndjejnë fanellën kuqeblu”-ka thënë Vajushi për gazetën tonë. Në këtë mënyrë, Vllaznia pas Vujadinoviç. Smajlit, Gocajt e Hajdarit, firmos edhe kontratën e pestë për sezonin e ardhshëm me Armando Vajushin. Në ditët e tjera, do ketë të tjera kontrata të firmosura.(shënim: ju lutemi mos e merrni krejt seriozisht këtë lajm. Sot është 1 prilli!)

www.shkodrasport.com

 

Armando Vajushi dje ne tribunen e “Loro Boriçit” me menaxherin Dritan Gjyrezi

Foto: Gjon GJEKA