Mbrojtësi shkodran Klodian Semina është duke luajtur titullar në thuajse të gjitha ndeshjet me ekipin e kategorisë së dytë në Zvicër- Lokarno. Ka ndodhur kështu edhe dje kur ka qenë për 90 minuta në fushë, në ndeshjen që ekipi i tij ka luajtur ndaj Bielit. Rezultati përfundimtar i këtij takimi ka qenë 2-0 për Lokarnon, me dy gola të shënuar nga elbasanasit Armando Sadiku. Sipas vetë Seminës, në një prononcim ekskluziv për gazetën online www.shkodrasport.com, fitorja e djeshme ka qenë shumë e rëndëisshme për skuadrën e tij. “Ka qenë një fitore me mjaft vlera. Kemi fituar ndaj Bielit, një kundërshtar direkt për ne. Por në këtë ndeshje, kam marrë edhe karton të verdhë, që ishte i katërti për mua dhe prandaj do të mungoj në ndeshjen e rradhës. Megjithatë, tashmë jemi në vend të 10-të me 6 pikë më shumë në renditje, në pozita disi më komode. Kampionati i sivjetëm ka qenë shumë i vështirë sepse nga kategoria sivjet bien plot 6 ekipe ngaqë kampionati i ardhshëm do jetë me 10 skuadra. Kemi një kalendar të favorshëm në javët e mbetura dhe me shumë mundësi Lokarno nuk e diskuton qëndrimin në kategori”-ka thënë ai.

Ndërkohë, siç është bërë e ditur, ditë më parë në Zvicër për ta ndjekur atë dhe Sadikun në ndeshje, ka qenë edhe trajneri i kombëtares shqiptare, italiani De Biazi. Semina e ka takuar atë, ka folur me të dhe sigurisht që ka shumë shpresa se do jetë në vëmendjen e tij. Të paktën kështu i ka thënë De Biazi dhe këtë e pranon edhe vetë mbrojtësi 23 vjeçar shkodran kur thotë: “De Biazi ka ardhur për të më ndjekur në ndeshje, si mua ashtu edhe Sadikun, kam folur dhe përgjithësisht të paktën nga sa më ka thënë, i kam pëlqyer me lojën që kam zhvilluar. Sipas trajnerit, do më ketë gjithnjë në vëmendje dhe shpresoj shumë që një ditë të jem pjesë e Kombëtares.De Biazi ma ka lënë derën të hapur për këtë gjë”.

www.shkodrasport.com