Ada e Velipojës është shumë pranë shpalljes kampion për të dytin vit rradhazi. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, kësaj skuadre i duhen matematikisht edhe 2 pikë për të qenë kampione e Shqipërisë edhe për sezonin 2011-12. Në kuadër të javës së 12-të të kampionatit, Ada ka luajtur në Durrës ndaj Shkëndisë vendase dhe ka fituar pa as më të voglin problem me rezultatin e thellë 6-0. Pesë nga gjashtë golat e shënuar mbajnë firmën e sulmueses Megi Doçi të ardhur në janar nga Tirana AS. Golin e fundit e ka shënuar Tina Malesia. Me këtë fitore, Ada është ngjitur në kuotën e 31 pikëve. Nga ana tjetër, ekipi ndjekës Juban Danja ka luajtur në Tiranë ndaj Kinostudios dhe ka fituar 3-1. Pjesa e parë e ndeshjes së luajtur sot në mesditë është mbyllur në barazim 0-0. Me fillimin e pjesës së dytë kanë ardhur dy gola të shpejtë për Juban Danjës me anë të Advije Veliut dhe Klaudia Rrotanit ndërsa më pas Kinostudio ka shënuar me 11-metërsh duke ngushtuar rezultatin por ka qenë sërish kosovarja Veliu që ka shënuar edhe golin e tretë që i ka dhënë fitoren skuadrës së saj. Me këtë fitore, Juban Danja është ngjitur në kuotën e 26 pikëve duke qenë 5 pikë larg Adës. Kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të kampionatit dhe velipojaket presin këtë javë ekipin The Door, atë që ndali Juban Danjën para 3 javësh, ndërsa në ndeshjen e fundit në Velipojë, do presë pikërisht këtë të fundit. Megjithatë një fitore ndaj The Door mbyll praktikisht kampionatin dhe në këtë mënyrë Ada thuajse është shpallur kampione e Shqipërisë për këtë edicion, titull që do jetë i dyti rradhazi për të.

www.shkodrasport.com