Vllaznia mbetet në një udhëkryq dhe duket se ka vështirësi si në fushë, ashtu edhe në anën administrative. Vitet e fundit, nën administrimin e Bashkisë së Shkodrës, ka pasur vështirësi financiare që tashmë dihen, ndaj dhe vetë kryebashkiakja-presidente Voltana Ademi është e angazhuar për privatizimin e klubit.

Sipas “Sport Ekspres”, kohët e fundit është refuzuar një ofertë nga turqit e Bashakshehirit, një klub i Superligës në Turqi, ku është aktivizuar më parë edhe sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi. Refuzimi është bërë me argumentin se mungon hapësira ligjore. Bashkia kërkon të jetë në rregull me anën ligjore dhe për këtë arsye po bashkëpunon me një studio të huaj, por duket se ende kuadri ligjor nuk është gati. Vllaznia e fushës ndërkohë po has vështirësi të mëdha në këto javë të para, pavarësisht se në merkaton e verës ka marrë lojtarë me kualitet. Problemi kryesor i skuadrës së Cungut mbetet sulmi.