Partizani ka fituar në shtëpi përballë Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-t të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi me shifrat 1-0 në favor të vendasve. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Oltijon Kërnaja.

“I uroj shërim të shpejtë Edlir Tetovës dhe rikthim sa më të shpejtë pranë fushave të sportit”, tha fillimisht Kërnaja.

“I lumtur me sakrificën e çunave, me mënyrën si luajtën. Ishim gjatë gjithës kohës në posedim të topit dhe për të gjetur mënyrën si të bënim gol. Jam shumë i lumtur edhe për Diegon që shënon në Superiore.

Contreras para Bintsouka? Ne kishim përgatitur tjetër mënyrë gjatë javës, në vend të Bintsoukas do ishte Mehmeti, por për një virozë u bë e kundërta. Mbrëmë në darkë Mehmeti kishte temperaturë. U munduam të merrnim linjat me Bintsoukan. Diego është lojtar zone, shënuam me të. Mund të shënonim edhe me Buxhelajn dhe Tomën, shyqyr erdhi 1-0. Futëm edhe Sembenen që vjen pas një dëmtimi të gjatë. Rezultati ishte i drejtë.

Ekipi qarkulloi gjithë kohën dhe ne s’duhej të nxitoheshim dhe të bënim gabime. Para golit, Contreras kishte rast tjetër. Nuk është se e sulmuan pak zonën, ndryshuam disa herë mënyrë loje. Futëm Koten që është akoma më ofensiv. Nga jashtë duhet ta shoh nesër në mëngjes ndeshjen, sonte s’kemi kohë.

Derbi i kryeqytetit me Tiranën? Çunat bënë maksimumin sot, mos të harrojmë që për punë kartonësh mediet thanë që rrezikonim. Nesër në mëngjes fillon përgatitja për derbin. S’besoj se do të jetë ndonjë problem shumë i madh. Do bëjmë maksimumin ta fitojmë, renditja ka vlerë. Situata është komplet ndryshe, jemi më komod, s’kemi presionin. Këtë herë sigurisht do të fitojmë ne”, u shpreh Kërnaja.