Akademia e Vllaznisë, me tre grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë tri fitore. Ekipet kuqeblu, duke nisur nga U-13, U-17 dhe U-19 do të luajnë ditën e sotme respektivisht ndaj Teutës në Shkodër në fushën “Reshit Rusi”.

Të parët që do të zbresin në fushë do të jenë ekipi U-17, që drejtohet nga trajneri Gilman Lika. Kjo ndeshje do të luhet duke filluar nga ora 10:00. Momentalisht, shkodranët renditet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit në kuotën e 11-pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani, teksa realisht në këto përballje ka rënë në sy Gerald Kubazi me golat e tij.

Më pas, në fushën e “Reshit Rusit”, po ndaj ekipit të Teutës do të luajë edhe ekipi i U-19, që drejtohet nga trajneri Edmond Doçi. Vllaznia U-19 renditet në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm shtatë pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. Përballja e U-19 mes Vllaznisë dhe Teutës do të luhet në orën 12:00 në fushën “Reshit Rusi”.

Ndërkohë që, menjëherë pas tyre, në orën 14:00, po në këtë fushë do të zbresin edhe 13-vjeçarët e këtyre dy ekipeve. Kështu, ekipi i Vllaznia U-13, që drejtohet nga trajneri Brikeno Bizi, do të luajë ndeshjen e rradhës në kampionat, aty ku do të synojë me patjetër një trepikësh. Momentalisht, shkodranët renditet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm pesë pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani.

Në fakt, me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë së Vllaznisë, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet fitimi i të gjitha kupave, por nga ana tjetër edhe nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI