Interesimi për ta ndjekur këtë finale aty brenda “zonës vullkanike” i tejkalon përmasat e reales. Roma dhe Feyenoord kanë marrë për tifozeritë e tyre respektive secila nga 4 mijë bileta. 3 mijë bileta i ka ruajtur UEFA, për të ftuarit, federatat përkatëse dhe sponsorët. Pra ngelën vetëm 8 mijë bileta.

Kërkesat e mijëra tifozëve, në mbarë Europën e botën, bënë që ngarkesa të ishte aq e madhe sa faqja e uebit të UEFA-s të shfaqte shumë probleme dhe “automati” ra disa herë. Por askush nuk dorëzohej kollaj. Ata “të regjurit” jo e jo. Biletat e vëna në dispozicion “avulluan” në 2 orë. Natyrisht që për shumicën dërrmuese të këtyre biletave proçedura kishte nisur 2 muaj më parë, ekzaktësisht më 16 mars. Bileta më e lirë kushton 20 Euro, më e shtrenjta 125 Euro.

Në tregun e zi do të shiten trefish, pesëfish e deri në dhjetëfish më shtrenjtë. Lojë e re, avaz i vjetër. Kështu ndodh kudo në botë, kështu ndodh në çdo finale. Duke ditur që jam afër dhe brenda futbollit, farefis, miq, shokë, të njohur, të panjohur, më kërkuan bileta, menjëherë pas shpalljes së dy finalistëve.

Kërkesat ishin dhjetë herë më të larta se kur u inagurua stadiumi, në nëntor kundër Francës. Dhe këtu ka një problem tjetër. Shumica dërrmuese e kërkuesve shkojnë në stadium vetëm dhe vetëm kur ka një event madhështor. Pastaj mund të rrinë vite pa shkuar në stadium. Kjo nuk shkon. Një përgjigje kisha dhe kam për të gjithë miqtë: E para, e pamundur të gjesh 1 biletë.

Sepse gjithçka, absolutisht gjithçka menaxhohet nga UEFA, organizatorja e finales. Ai/ajo që ju premton një biletë, ju gënjen. E dyta, ejani në çdo kohë në stadium. Ejani dhe zbuloni magjinë e futbolli. Futbolli bashkon. Edhe 119 mijë vende të ishte stadium ynë, do të mbushej plot e për plot. Do të ketë 90 mijë tifozë për finalen e Tiranës, rreth 70 mijë italianë dhe rreth 20 mijë holandezë. Tirana do të jetë e gjitha në festë.

Dhe unë uroj me shpirt dy gjëra: E para, që gjithçka të shkojë shkëlqyeshëm dhe tjetra, që kjo finale të jetë një marketing edhe për futboolin shqiptar. Jo për Kombëtaren, ajo e ka fituar “bastin” e saj me tifozët. Po për kampionatin shqiptar, stadiumet e të cilit janë pothuajse bosh gjithë vitin. Përjashto derbin, kur luhet në Tiranë.