Edin e njoh të paktën nga fare afër që prej fillimit të viteve ’90. Një supertalent futbolli që erdhi në futbollin tonë si zakonisht… prej Shkodre, prej djepit të futbollit shqiptar.
E njoha nga afër kur nisi të luante me grupmoshat e ekipeve tona kombëtare. E veshi herët fanellën e çmuar të Vllaznisë, ashtu siç u largua herët nga Shkodra dhe Shqipëria për një fat më të mirë… për t’u rikthyer sërish. Dhe sot jemi me fat që e kemi mes nesh.
U prit mirë dhe bëri mirë, veçanërisht tek Eintrachti i Frankfurtit në Gjermani. Në Shqipëri, me Vllazninë, fitoi gjithçka që ëndërron një futbollist: trofetë e lakmuar, titullin kampion, “golashënuesi i vitit”, “lojtari i vitit” etj.
Ishte një “alla Maradona” në versionin shqiptar: robust, i fortë fizikisht, teknik, driblues dhe, mbi të gjitha, golashënues.
Djalë i qetë, korrekt, i sjellshëm, i respektueshëm dhe plot humor… tipik shkodran.
Kurrë nuk ka qenë problematik me askënd: as në fushën e lojës me kundërshtarët, as me arbitrat, as me tifozët, e aq më pak me gazetarët apo komentatorët sportivë. Po aq korrekt edhe jashtë futbollit, si një qytetar model, i respektuar nga të gjithë.
Edin dhe Zamir Shpuzën i kam pasur shumë për zemër. Kur grumbulloheshin me Kombëtaren në Tiranë, shkoja i takoja, bisedonim gjatë dhe kënaqesha vërtet.
E kam shoqëruar si gazetar në Casarano të Italisë në vitin 1993, në një miqësore U-21 përballë Italisë, ku atë ditë ishte fenomenal në fushë, duke merituar një përqafim të veçantë jo vetëm nga trajneri ynë, E. Gezdari, por edhe nga trajneri i famshëm italian, Boninsegna.
E kam ndjekur edhe në miqësoren e hidhur në Tetovë: Maqedoni–Shqipëri. E kam ndjekur veçanërisht te Vllaznia, por edhe në Frankfurt te Eintrachti, sepse e kisha për zemër stilin e tij të lojës.
Në foton që shoqëron këtë shkrim jemi bashkë me kolegun G. Sinemati dhe Edin, në grumbullimin e Kombëtares në Hamburg, në prag të ndeshjes së famshme të mesit të viteve ’90, Gjermani–Shqipëri, që u luajt në Hanover dhe përfundoi 4-3 për gjermanët.
E kam ndjekur Martinin edhe si trajner dhe, sinqerisht, i jam gëzuar sukseseve të tij, edhe pse larg. Do të doja ta uroja dhe ta përqafoja nga afër, sepse meriton të vlerësohet dhe respektohet për gjithçka ka arritur falë punës, djersës, përkushtimit dhe ambicies së tij profesionale.
Si askush tjetër, me trofetë e fituar e ngjiti Teutën në majat e futbollit brenda dy vitesh. Edhe pse do të doja që këto suksese t’i arrinte me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, prej nga doli dhe u bë lojtar i madh, e ku sot vazhdon të jetë një trajner i tillë.
Më mirë vonë se kurrë… dhe Shkodra e shkodranët e kuptuan më në fund se sa shumë të do djali i shtëpisë. Ndaj edhe këtë edicion, me Edi Martinin në krye, janë të vendosur të shkojnë deri në fund për të dy trofetë: Kupën, por veçanërisht Kampionatin, që mungon padrejtësisht në Shkodër prej më shumë se dy dekadash.
Jeni në rrugë të mbarë… çoje deri në fund këtë ëndërr të bukur shkodrane, sepse e meriton dhe e meritoni plotësisht – kështu i them Edit sa herë flasim në telefon.
E di që do të ketë pengesa, smirë dhe xhelozi tipike shqiptare… do të të vendosin gurë nën rrota, do të të sulmojnë e provokojnë ty, Vllazninë, tifozin e mrekullueshëm shkodran dhe vetë Shkodrën… por, siç thotë populli: “Pema me kokrra qëllohet”.
I shkrova këto radhë pasi lexova një reagim qesharak dhe të neveritshëm të “moderatores sportive” Hygerta Sako, e cila “sqaron” përplasjet e saj me Edi Martinin.
Ndër të tjera, ajo përpiqet të provokojë, duke u kujtuar shkodranëve se titullin, kur ishte te Teuta, ua ka “hequr” ai. Përmend edhe një histori votimi për trajnerin më të mirë të vitit, ku sipas saj është preferuar Brdariçi dhe jo Martini—një pretendim që vështirë se e beson kush në futbollin shqiptar.
Madje, flet edhe për ndërhyrje të Martinit, për mënyrën e festimit të tij, duke e etiketuar si “të paedukatë” dhe duke përmendur dënime nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF.
Këtu bëhet qesharake. Nuk ka trajner në botë që, për arsye sportive, të mos jetë dënuar disa herë gjatë një sezoni. Po çfarë duhet të themi atëherë për José Mourinho, një nga trajnerët më të mëdhenj në botë, i cili është ndëshkuar dhjetëra herë? A është edhe ai “i paedukatë”?
Sa për këtë etiketim ndaj Martinit “i paedukatë”, do të ishte mirë të tërhiqej një orë e më parë dhe t’i kërkohej falje dhe jo vetëm atij, por edhe ne të gjithëve njerëzve të sportit e të mediave sportive pasi s’bën gjë tjetër por e bën akoma edhe më shumë pis veten tënde.


