E ndoqa ndeshjen e Superligës, Bylis – Vllaznia, e cila përfundoi me fitoren e ballshiotëve 2-1. Vallahi duhet të kesh shumë guxim e kurajo, ose mbështetje të fortë nga ata “ustallarët” e FSHF-së në Tiranë, që të anulosh e të mos i japësh Vllaznisë një penallti kaq flagrante.
Edhe pse u thirr nga VAR-i, edhe pse nuk kishte fare nevojë për VAR, pasi prekja e topit me dorë nga mbrojtësi ballshiot ishte flagrante dhe tepër evidente, e dukshme qartazi me sy të lirë, Rusta këmbënguli në vendimin e saj.
Së pari, sipas meje, është e papranueshme vendosja e një gjyqtareje për një ndeshje kaq delikate.
Së dyti, nuk mund të caktosh një gjyqtare nga Elbasani për të drejtuar këtë ndeshje, pasi haptazi kemi të bëjmë me konflikt interesi, kur dihet që Vllaznia dhe Elbasani janë “kokë më kokë” në garën për titullin kampion.
Së treti, ngjarjet e fundit skandaloze me protagoniste tifozërinë elbasanase pas humbjes në minutën e fundit në Shkodër (Vllaznia – Elbasani 2-1), ku vandalë e huliganë thyen e shkatërruan çfarë u doli përpara, nuk i japin asnjë justifikim FSHF-së për zgjedhjen që bëri.
Personalisht, kurrë dhe në asnjë ndeshje të vetme nuk e kam pëlqyer gjyqtaren elbasanase Emanuela Rusta. Ani pse vetë FSHF-ja, por edhe FIFA e UEFA, mund ta kenë për arsye e qëllime të tjera që lidhen me politikat e tyre në futbollin e femrave, kjo nuk ka të bëjë me cilësinë e gjykimeve të saj, të cilat sipas meje lënë shumë për të dëshiruar.
Rusta mund të shkojë edhe në Botërorin 2026, por në Shqipëri askush nuk ua ka borxh të shkatërrojë Superligën shqiptare. Aq më pak në Shkodër, të dëmtohet Vllaznia kryesuese në këtë mënyrë, me një kokëfortësi që lë shumë pikëpyetje.
Ndërkohë, “ustallarët” e Tiranës, me Dukashenkon në krye, mezi presin të dënojnë trajnerin shkodran Edi Martini pse feston, dënojnë tifozët shkodranë pse brohorasin “Vllaznia kampion”, dënojnë fushën pse ndizen fishekzjarre…
Por asnjë “gjemb në këmbë” për këta lloj gjyqtarësh që, me një lloj kurajoje të çuditshme, prishin kampionatin, tallen me trajnerë e tifozë dhe fyejnë djersën e futbollistëve në fushë.
Vetëm sepse kështu është vendosur e urdhëruar? Vetëm për t’i bërë qejfin atij që i bën gjyqtarë të FIFA-s apo i shpërblen duke i dërguar në ndeshje të FIFA-s e UEFA-s?
Ajo që ndodhi në Ballsh, me protagoniste gjyqtaren Emanuela Rusta, ka vetëm një emër: Turp!


