Pas tri javëve të para të Superligës, vetëm Teuta dhe Vllaznia duket se kanë ritmin e sezonit të kaluar dhe do të rivalizojnë fort. Të dyja skuadrat kanë pasur 3 përballje të forta dhe nuk janë thyer, me durrsakët që tregohen cinikë, por nuk humbasin. Për Vllazninë do të flasim në fund…
Tirana nuk po gjen ekulibrat, Partizani është treguar konfuz dhe lojë me hope jo vetëm nga java në javë, por edhe nga pjesa e parë në të dytën. Laci ka të njëjtin stof, të njëjtën grintë, por dicka në organizim, sidomos në fazën mbrojtëse. Kurbinasit kanë pësuar 8 gola dhe kjo nuk është mirë. Kanë marrë dy barazime me fat.
Forca reale e Kukësit u duk në ndeshjen me Lacin, pasi në dy javët e para ka pasur ndeshje të lehta në letër dhe në fushë. Pra, në përballjen e parë të fortë, verilindorët nuk mundën të fitonin. Të mos mbrosh dy gola avantazh në kampionatin shqiptar për gjysmë orë loje në një fushë asnjanëse dhe me tifozët pro, nuk është shenjë e mirë. Kukësi është mirë në fazën ofensive, por calon në mbrojtje, sepse pëson edhe gola naivë.
Ndryshe nga sezonet e kaluara, ku skuadrat e ngjitura nga e Para kanë vuajtur për mbijetesën në Superiore, këtë sezon njëra prej tyre duket se nuk do ta ketë problem qëndrimin në Superiore, madje Dinamo mund të pretendojë edhe më shumë. Tri skuadrat e tjera do të luftojnë për mbijetesë, ku Kastrioti duket më pak i balancuar se Egnatia dhe Skëndërbeu.
Ky start sezoni ishte ndryshe nga shumë të tjerë paraardhës. Nuk ka skuadra me pikë të plota, nuk ka skuadër pa asnjë pikë, nuk ka skuadër që nuk ka shënuar dhe nuk ka asnjë skuadër që nuk ka pësuar. Spikat numri i madh i barazime, plot 9 të tilla në 15 ndeshje, por ku shënohet, pasi është vetëm një barazim 0-0. Kjo tregon rivalitetin e madh të skuadrave dhe ku diferenca mes tyre nuk është e madhe.
Për Vllazninë…
Duke patur parasysh këto përballje, Vllaznia është një hap para, më serioze si skuadër për titullin. Ka ruajtur boshtin dhe ka bërë përforcimet e duhura, duke rritur fuqinë sulmuese të skuadrës. Mos harrojmë që i mungon Hoxhaj, i cili ka qenë vendimtar në sezonin e kaluar.
Në aspektin e mbrojtjes, gjithsesi ka vend për përmirësime. Ishte 2-0 në avantazh në Laç, tregon dobësi menaxhimi të situatave, edhe me Teutën e Partizanin. Me durrsakët ishte edhe cështje fati. Meqë diferencat mes skuadrave nuk janë të mëdha dhe meqë kuqeblutë në 3 ndeshjet kanë shënuar të parët, problemi i vetëm i tyre është menaxhimi jo i mirë i avantazhit.
Gjithsesi, Vllaznia është pak a shumë ajo që ishte edhe vjet, pra një skuadër shumë solide dhe ka të njëjtin trajner. E dyta, ndryshimi i administrimit të klubit te një person i vetëm është shumë pozitiv për Vllazninë. Stadiumi patjetër, është impiant modern dhe tifozeria dihet që është përkrahje, por edhe presion i madh ndaj kësaj skuadre. Janë elementë që e bëjnë Vllazninë një hap para rivalëve të tjerë.
*Opinion eshte ekskluziv per “Shkodra Sport”