Gazetari kosovar Arif Ejupi, që shkruan për fitoren e Kosovës 4-3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, në portalin “Fjala e Lirë”, ka zgjedhur një titull intrigues kur citon: “Sllovakia nuk njeh Kosovën – por njohu fuqinë e saj (4-3)”.
Pa pasur nevojë për koment më të gjatë, kuptohet se gazetari e ka goditur bukur këtë fitore, duke i kujtuar politikës sllovake se kjo nuk është thjesht një hakmarrje, por një kujtesë që Kosova kërkon edhe njohjen nga ky shtet europian.
Dhe nëse Kosova, më 31 mars, me trajnerin Franco Foda, do të eliminojë në “Fadil Vokrri” edhe Turqinë, atëherë Sllovakia nuk do ta quajë eliminimin e saj një rastësi.
Kombëtarja italiane, e etur për një kualifikim në Botërorin 2026 pas dy dështimeve në këtë kompeticion futbollistik, mori frymë kur Kean, i lindur në Itali nga prindër nga Bregu i Fildishtë, shënoi golin e dytë, duke ngritur në këmbë 23,439 spektatorët në “New Balance” dhe gjithë stafin e trajnerit Gattuso, me në krye legjendën Buffon.
Prestigjiozja e shtypit sportiv italian, “La Gazzetta dello Sport”, që më 3 prill feston 130-vjetorin e botimit të numrit të parë të saj, në 10 faqet e komenteve kushtuar ndeshjes Itali – Irlanda e Veriut (2-0), ka zgjedhur si kryetitull në faqen e parë: “Italia Sì”.
Katër ditë më parë, më 23 prill, të gjitha gazetat italiane kishin si kryetitull “Italia No”, çka bënte fjalë për humbjen e referendumit të shpallur nga qeveria e Melonit.
Pra, “Italia Sì”, në mbrëmjen e 26 prillit, duartrokiti në unison “PO”-në jo vetëm nga tifozët në arenën e Bergamos, por edhe nga miliona e miliona tifozë italianë, që dinë të ndalojnë edhe një herë frymëmarrjen…


