Marash Kumbulla mund të kthehet shumë shpejt në futbollistin e përfaqësueses shqiptare që regjistron transferimin më të shtrenjtë në histori.

Lojtari i cili debutoi pak minuta gjatë kualifikuesve të Euro 2020 ndaj Moldavisë, tashmë është kthyer në objektivin e merkatos së Interit e me sa duket gjërat kanë ecur me ritme të shpejta, aq sa tashmë flitet për shifra konkrete.

Sipas mediave italiane, gjatë javës së kaluar, në takimin që zyrtarë të Interit kanë zhvilluar me homologë të Veronës që zotëron kartonin e tij, është folur në parim për transferimin e mundshëm të djaloshit por edhe për shpenzimin që duhet të përballojë klubi milanez.

Verona mësohet se i ka kërkuar zikaltërve një shifër mbresëlënëse prej 15 milionë eurosh, duke argumentuar se atë e ndjekin edhe klube të tjera e duke parashikuar një ankand të hapur për të.

Mbetet për t’u parë se si do të veprojnë zikaltërit ndaj kësaj kërkese financiare, por përtej Adriatikut insistojnë se Konte pëlqen futbollistin dhe dëshiron ta bëjë pjesë të projektit të tij afatgjatë në klub. /vipsport/