Si çdo njeri, edhe unë e ndjek rubrikën sportive, bile kalimthi në çdo stacion, sepse dua të shoh kronikat, por edhe diskutimet e specialistëve, se çfarë thonë për ekipet dhe kampionatin. Mbase disa stacione duhet t’i ndërrojnë analistët, sepse janë “salduar” nëpër studio dhe të gjithë e dinë se çfarë do të thonë dhe për kë kanë konsideratë.
Kjo vjen edhe nga aktivizimi i tyre në një klub të caktuar dhe ai nuk i shmanget dashurisë së hershme. Mirëpo, në studio, në rolin e opinionistit, d uhet të jesh me këmbë në tokë, të jesh bindës, me argumente dhe pa tifozllëk.
Konkretisht, në një stacion që ndiqet, rubrika është e mirëveshur dhe e mirëndriçuar dhe, duke qenë prej shumë vitesh aty, formon një bindje tek vetja se ato që nxjerr nga goja janë postulate, se ti ke të drejtë. Ndërhyn shpesh me “prudencë”, duke vlerësuar ndonjë ekip që është nga vendi i pestë dhe duke kritikuar një ekip që është në krye të renditjes. Po të ishte thjesht një mendim apo opinion, do të thosha “ke të drejtë”, por ta thuash me bindje dhe prepotencë, e t’i shkëlqejnë sytë moderatorit se i intereson, se është “fatkeqësi” që kampionatin e kryeson Vllaznia dhe duhet ta kryesonin tre ekipet e kryeqytetit, më duket e papranueshme.
Madje, duke vazhduar më tej, se futbollin Vllaznisë ia ka mësuar Dinamoja dhe Partizani. Këtë mund ta thotë ndonjë fëmijë që shet fara para stadiumit, por kur e thua në studio, në opinion publik, më duket fyese dhe joprofesionale. Vllaznia nuk i ka borxh askujt pse Tirana, Partizani apo Dinamoja nuk janë në krye.
Dikush ka tetë javë që ua vë fajin arbitrave dhe nuk pranon dobësitë e ekipit. Përjashto Tironën, dy ekipet e kryeqytetit janë formuar pas Luftës së Dytë Botërore si klube ministrish. Dhe të thuash se këto ia kanë mësuar futbollin Vllaznisë më duket mendim krejt i papjekur.
Pse?
Vllaznia u formua në vitin 1919 si klub shumë-sportësh, ku pak vite më përpara ishte bërë edhe ndeshja e parë ndërkombëtare mes djelmnisë së dy lagjeve, Kiras dhe Arra e Madhe, me ushtarët austro-hungarezë. Kur prifti i nderuar Maltez solli në Shkodër projektin e një fushe stadiumi me parametrat që luhen sot ,ku në festat e qytetit luante bandë me 70 veta vepra nga autorë botërorë, ku Shkodra, qytet port, lëvizte në gjithë Europën përmes liqenit dhe detit, ku përkthehej Homeri dhe Shekspiri, ku në dy gjimnazet luheshin drama të njohura, dhe ku gjithçka dokumentohej me aparatin e Marubit, shok i vëllezërve Lumière që kishin shpikur aparatin në Francë.
Pse erdhi prifti në Shkodër? Sepse ishte një qytet me vlera europiane që do të përhapeshin në gjithë vendin. Dhe ashtu ndodhi, sepse një pjesë e madhe e sportistëve elitarë erdhën tek Partizani kur u formua, pas shumë vitesh, bashkë me Dinamon: futbollistë klase si L. Boriçi, Lin Shllaku, Pal Mirashi, K. Kraja, etj., ashtu siç erdhën edhe tek Dinamo Xh. Shaqiri, M. Bushati, Q. Halluni, etj.
Shkodra ishte kryeqendër kur të tjerët ende nuk quheshin qytete. Dikush mund të thotë se edhe opera e parë shqiptare është vënë në Vithkuq, por nuk është ashtu. Mund të thotë sot edhe dikush se “ne jemi Festivali i Këngës në RTSH”. Jo. Festivali është para 65 vjetësh dhe janë Prodani, Grimci, Krajka, Daija, Mula, etj.
Është e vërtetë se në Superligë mund të futen edhe ekipe të reja, pasi kanë ngritur terrene, kanë formuar financa, kanë blerë lojtarë, dhe kushdo ua uron. Madje, pse jo, të bëhet edhe me 14 skuadra që të ketë më shumë pjesëmarrje. Por jo të keqinformojmë, të nxjerrim fjalë nga xhepi dhe të harrojmë historinë. Po harrove historinë, edhe të tjerët do t’ju harrojnë juve.
Bota heronjtë e traditës i vendos memoriale para stadiumeve. Ky është respekti, sepse mbështetet te historia. Atëherë po ju them edhe unë juve në studio:
“La storia siamo noi.”


