ë gjithë po flasin në hava, aq më shumë që kryeministri Edi Rama është në SHBA për vizitë zyrtare atje.
Të gjithë ne flasim, parashikojmë se cfarë do të ndodhë në zgjedhjet e futbollit shqiptar madje ka raste deri në idiotësi. Mund të jemi të saktë, të gabuar, por përpiqemi të jemi korrekt me kontekstin që shpalosin të gjitha palët por dhe këtë radhë palë me futbollin.

Ne jemi gazetarë, mbi palët, por nuk dimë asgjë se cfarë ka biseduar Ceferin me kryeministrin Rama dhe Dukën në takimet e para disa ditëve. Të tre lojtarë kampionë dhe që pëlqejnë negocimin sipër e poshtë tavolinës.

Natyrisht, në një situatë të tillë janë vendosur kushte nga Rama dhe kreu i UEFA-s dhe indirekt dhe z. Duka.

Se cfarë nuk e di asnjeri, thjesht hipotezojmë dhe flasim e një pjesë me haluçinacione panoramixhinjsh…
Kuptohet qartë se Ceferin ka ardhur për drejtësi, transparencë, por kurrsesi si armik i FSHF-së, anëtarit të vet.

Përkundrazi, e ka bërë të qartë se nuk lejohet kurrsesi ndërhyrja e palëve të treta (politikës).
Federata thotë se në vijim të bisedës së Ceferin me kryeministrin Edi Rama, në vijim të një rutine të përhershme që ka UEFA për të monitoruar të gjithë anëtarët e vet, ka ardhur në Tiranë një grup pune prej tre personash për të monitoruar fushatën zgjedhore. Kotroll rutinë!

Nuk është një projekt pilot, dicka që ndodh vetëm për Shqipërinë, por kjo është vijësjellje e UEFA-s me të gjithë anëtarët e vet në kohë zgjedhjesh.

Në vijim të problematikave që ka sinjalizuar vetë FSHF-ja, por edhe kandidatë të ndryshëm për kryetarë shoqatash rajonale, ka ardhur një delegacion i UEFA-s në Tiranë dhe po mbledh e qëmton fakte.
Kjo “ekspeditë” ka dy palë në vëzhgim. FSHF-ja e qetë, serioze, transparante e sheh si mundësi për transparencë, kontroll i programuar, që do të mbështetet mbi informacionin që do t’u servir ajo, mbi dokumentacionin e qeverisë sonë të futbollit.

Përfaqësuesit e UEFA-s do të shohin respektimin e afteve, dokumentacionit ligjor, korrektësisë statuore etj.

Sigurisht, do të “ekzaminohet” kryerja e detyrave të lëna nga presidenti Ceferin në vizitën e para disa ditëve.

FSHF është stoike në qëndrimin e saj, të mbajtjes larg të politikës. Ajo është e sigurt se zgjedhjet e 2 marsit, të shpallura nga Komiteti Ekzekutiv, mund të shtyhen vetëm nga UEFA dhe CAS-i i Lozanës, gjykata sportive mbi gjithcka e këdo. Askush tjetër nuk mund t’i shtyjë zgjedhjet në futbollin tonë.
FSHF vazhdon të nënvizojë se është për transparencën, të gjithë dokumentacionet janë në rregull, raporti institucional mes saj dhe UEFA-s është i shkëlqyer.

Cfarë thonë të tjerët? Propaganda e grupit tjetër, rivalëve të Dukës, synon të japë përshtypjen se kjo vizitë e tre zyrtarëve të UEFA-s bëhet për të rrethuar FSHF dhe presidentin e saj, për të ndëshkuar “korrupsionin” e drejtuesve të futbollit tonë, etj. etj.

Sipas tyre, UEFA do të bëjë namin, do të gjejë shkelje në FSHF, do të urdhërojë zbatimin e vendimit të gjykatës për shoqatën e Tiranës. ( Ëndërr sy hapur)

Në këtë përballje, federata është institucionale, flet me dokumenta zyrtarë, statuorë e ligjorë.
Pjesa tjetër bën propagandë boshe, mashtron, dezinformon për qëllimin e ardhjes së tre zyrtarëve të UEFA-s apo shpif e shpif se diçka do ngelet.

Në këtë rast një gjë është e sigurt, nuk ka shqiptar që nuk e di: ardhja e këtij delegacioni monitorues do të vendosë pikat mbi “I”, do të vendosë fatin e zgjedhjeve, ecurinë e mëtejshme të fushatës. Askush tjetër nuk ka tagër për të ndërhyrë në datën e zgjedhjeve, përvec këtij grupi, që do t’i dërgojë rezultatet e monitorimit të tij në tryezën e presidentit Ceferin.

Të gjitha faktet do të jenë dokumenta të servirura nga FSHF, mbi to do të merret edhe vendimi përfundimtar.

Personalisht jam i sigurt se zgjedhjet do të zhvillohen më 2 mars, sipas parashikimit përkatës dhe Duka është fituesi.