Një kartolinë për kampionatin, e dërgon Vllaznia. Zgjim i ëmbël për tifozët shkodranë pas asaj supersfide në “Loro Boriçi”, ku Vllaznia i është imponuar 6-3 ndaj Dinamos, një nga ato sfida të destinuara të mbahen mend gjatë. Gola, përmbysje rezultati, spektakël, më e bukura që futbolli mund të ofrojnë.

Merita për skuadrën shkodrane, ishin thjesht fantastikë. Nuk është e lehtë të gjesh forcën për tu kthyer nga një ndeshje ku pëson që në fillim, Vllaznia ja doli, përmbysje rezultati që në pjesën e parë, dhe më pas e aftë për të shënuar sa herë që kundërshtari ngushtonte diferencën.

Veti e një skuadre që përveç karakterit, ka mbi të gjitha vetëbesimin që buron nga një lojë tanimë e kolauduar, e orientuar drejt sulmit, meritë për të gjithë djemtë e padyshim për Thomas Brdaric, është trajneri që ndoshta përmendet më pak, por që ka ditur të marrë rezultate dhe mbi të gjitha duke dhuruar futbollin e bukur falë lojës sulmuese, jo rastësisht janë ndeshjet e Vllaznisë ato më të bukurat dhe më shumë gola, kripë e kampionatit.

Meritë e Brdariç por edhe e një merkatoje të mirë-menduar, Djordevic e Aralica shënojnë, ndërsa Liridon Latifi është thjesht spektakolar, ndaj Dinamos bëri një ndeshje nga ato të kohëve më të mira, i papërmbajtshëm në krah ku bashkë me Hakajn aë pronësuan duke e kthyer në zonën e tyre, i aftë për të krijuar gjithmonë situata rreziku me inkursionet, pasimet dhe krosimet në zonë.

Një Latifi i ditëve më të mira, plotësisht i merituar ai “standing ovation” i publikut shkodran, një publiku që di të vlerësojë virtuizotetin e futbollit në momentin e zëvendësimit. Golat e shënuar në goditjet standarde, ato të këndit, janë një tjetër konfirmim i një skuadre të përgatitur mirë taktikisht dhe mbi të gjitha që ka ditur të bazojë strategjinë e saj duke marrë më të mirën e vlerave teknike të çdo individi.

Mbi të gjitha shumë shpirt gare, në sulm, por edhe në mbrojtje, pavarësisht pësimit të 3 golave, kjo Vllazni funksionon nga fundi në krye, ka një identitet dhe një fytyrë të sajën, për momentin, është më e bukura e këtij kampionati!
Rinald Bregasi- Supersport