Pse u largua në atë mënyrë Mirsad Jonuz? Kjo pyetje vijon të mos marrë një përgjigje e sipas të gjitha gjasave, nuk do ta marrë asnjëherë zyrtarisht. Ajo që e ka tashmë një përgjigje është se Vllaznia e këtyre 4 ndeshjeve të fundit, nuk është Vllaznia e Mirsad Jonuz.

Duket pohim i çuditshëm teksa nuk ka patur asnjë largim apo afrim qoftë në grupin e futbollistëve, ashtu edhe në atë administrativo- sportiv. Sepse Vllaznia me mbrojtjen më të mirë të Superligës, nuk mund të pësojë 12 gola, në katër ndeshja njëra pas tjetrës. Sepse Vllaznia nuk mund t’ia lejojë vetes nga 2 – 0 në 45 minutat e para, në një ndeshje deçizive me kualifikim direkt, të pësojë dy gola duke rrezikuar edhe të tjerë. Sepse një portier, ndryshe nga një futbollist, nuk mund të pësojë gola për mungesë përgatitje fizike.

Ajo që po ndodh tek Vllaznia, nuk është e lehtë të deshifrohet, sidomos kur e sheh nga jashtë. Por kurrsesi mungesa e përgatitjes fizike nuk mund të jetë justifikim për futbollistët në një ndeshje si ajo me Bylis, rezultati i të cilës ndoshta do të shënjojë fatin e Vllaznisë së këtij sezoni.

Një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shkodran e shqiptar, Hysen Zmijani, me keqardhjen e kuptueshme deklaron se “sot e ndërrojnë Vllazninë për 100 mijë lekë”. Ndërsa në kohën e tij, ndoshta edhe pak vite më pas, ishte ëndërr të vishje fakelen kuqeblu.

Kolegu i tij, Seri (Hysen Dedja), pranoi për 8 ndeshje të mbetura të drejtojë ekipin e qytetit të tij, Vllazninë ku lujti si futbollist por edhe e drejtoi si trajner drejt titullit kampion.

Ata që kanë qenë të vëmendshëm, në prezantimin e tij të para para medieve, Seri e tha qartë se nuk mendon mbijetesën por ngjitjen lart, pasi ishin në lojë plot 24 pikë. Ky pretendim i tij, bazuar edhe në paraqitjet e ekipit deri në ndërprerjen e Superligës për shkak të pandemisë. Dhe Ser Dedja nuk mund të mos quhet specialist dhe njohës i mirë i futbollit e trajningut. Po atëherë çfarë ndodhi me Vllazninë? Sidomos këto 4 ndeshjet e fundit?

Vllaznia ka humbur e do të humbë, sepse kështu e ka futbolli. Por në shumicën e rasteve, ka dhënë lojë, ose të paktën është përpjekur të japë. Në mos gjithë ekipi, elementë të veçantë të paktën kanë spikatur në fushë me shpirtin e tyre. Edhe më herët arbitrat na kanë penalizuar, siç në pak raste edhe na kanë favorizuar. Por ajo që vihet re pa qenë specialist futbolli, është një frymë e përgjithshme e mungesës së dëshirës, deri në neglizhencë e moskokëçarje në fushën e blertë.

Jo më kot Ser Dedja ka folur për futbollistë që ecin në tapetin e gjelbër dhe nuk vrapojnë. E kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me mungesën e përgatitjes fizike.Aq më shumë, kur me kalimin e javëve me ndeshje, nuk vërehet ndonjë përmirësim. Përkundrazi…në disa raste ka edhe “përtesë” për tu stërvitur, me justifikime bajate…

Personalisht mendoj se jo çdo gjë është ashtu si duket në fushën e blertëe në ambientet e Vllaznisë. Janë shumë faktorë që kanë ndikim, edhe pse në mënyrë jo të dukshme. Një nga këto, edhe dalja në skenë e mundësisë së privatizimit të Vllaznisë, që nuk shkon aspak në favor të situatës aktuale. Dhe mendoj se nuk është thjeshtë çeshtje rrogash, pagesash.

Të gjithë këta futbollistë që janë sot, ishin të gatshëm të luanin për Vllazninë edhe pas 31 majit (kur u skadonte kontrata), pa patur pretendime për rrogën, “sa ta gjykojnë drejtuesit”, janë shprehur edhe publikisht. Duke hedhur sytë në Superligë, Vllaznia është ndër ekipet më të rregullta sa i takon financave.

Pse iku në atë mënyrë Mirsad Jonuz? Nëse do të kishte një përgjigje kjo pyetje, i gjithë rebusi i krijuar, sidomos këto 4 javë, tek Vllaznia do të zgjidhej. Iku apo i krijuan rrethanat që të ikte trajnerit maqedonas?

Një gjë është e sigurtë, sot Vllaznia nuk po luan për vete, as për emrin dhe as për Shkodrën…
/Nga Blerti DELIJA-ShkodraWEB.com/