Vllaznia e femrave në futboll do të luajë pasditën e nesërme një ndeshje shumë të rëndësishme për kompeticionin e Champions League ndaj ekipit ukrainas.

Drejtuesit e klubit shkodran kanë ndërmarrë një nismë shumë interesante, teksa kanë ftuar në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” të gjitha shkollat e qytetit dhe të gjithë akademitë e Shkodrës për ndeshjen e nesërme. Kjo është një iniciativë e bërë nga presidenti Lazër Matija dhe stafi i tij dhe padyshim që meritojnë vlerësimet maksimale.

Ndërkohë, nga ana tjetër, të shumtë pritet të jenë edhe tifozët shkodranë, teksa do të ketë një organizim edhe nga “Vllaznit Ultras” në tribunën C5. Presidenti Matija i ka bërë një organizim perfekt kësaj ndeshjeje, teksa edhe hyrja në stadiumin “Loro Boriçi” do të jetë falas dhe kështu mendohet të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh.

Tifozët shkodranë pritet t’i përgjigjen thirrjes së klubit të Vllaznisë së femrave për të mbushur shkallët e stadiumit dhe një gjë e tillë padyshim që do ta afrojë tifozërinë edhe për ndeshjen e dytë që do të luhet po në Shkodër në stadiumin “Loro Boriçi”.
Maringlen ZHIVANI