Orges Shehi ishte i ftuar nëpërmjet një lidhje skype me emisionin “Elite Show” të Gjergji Stefës, ku dha shpjegimin e tij për një foto të publikuar në media, ku shfaqet me presidentin e Dinamos dhe gazetarin sportiv Gerti Çarçani. Pikërisht këtë foto e përdori si argument edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, për pezullimin e tij.
“Më vjen zor ta komentoj këtë foto. Kam qenë me stafin tim në atë restorant dhe aty, rastësisht ishte gazetari Gerti Çarçani, i shoqëruar me një person tjetër. Nuk kisha shkuar për të bërë negociata atje, isha me stafin tim pas asaj situate që kaluam.
Ofertë nga Partizani? Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti, nuk është e vërtetë. Nuk do të ishte keq të bëja pushim.
Unë jam i ndërgjegjshëm që roli i trajnerit nuk është i përjetshëm. Pavarësisht situata që krijohen, gjithsecili mban përgjegjësi për veprimet e veta.
Kam marrë një post shumë të rëndësishëm, atë të trajnerit të Tiranës, por nuk duhet të merremi me llafe, unë I thashë dhe ai më tha. Kjo situatë duhej kursyer, sepse është shumë qesharake. I pezulluar? Puna e trajnerit nuk mund të ndërpritet e të vijojë më pas.”