Nga Maringlen ZHIVANI
Grupimi i tifozëve shkodranë “Vllaznit Ultras” ka bërë një thirrje publike drejtuar të gjitha tifogrupeve në Shqipëri, duke reaguar ndaj zhvillimit të ndeshjeve të kampionatit në mesjavë.
Në reagimin e tyre, ata theksojnë se futbolli luhet për tifozët dhe jo për “njerëz me kollare e interesa personale”, duke kritikuar vendimet që, sipas tyre, dëmtojnë atmosferën dhe pjesëmarrjen në stadiume.
“Futbolli në tan botën luhet në fundjavë që pjesëmarrja e tifozave të jetë sa më e madhe, por tek ne bahet modë të luhet në mesjavë dhe në orare të papërshtatshme, gjâ që i shërben vetëm skemave të organizatorëve e jo pasionit tonë,” – shkruajnë “Vllaznit Ultras”.
Ata kanë bërë thirrje për bashkim mes tifozërive shqiptare, duke iu drejtuar grupeve si Tigrat Verdh e Blu, Arrakat, Ultras Guerrils, Tirona Fanatics, Djemt e Detit dhe Flota Kuq e Zi, për të ndërmarrë një aksion të përbashkët në mbrojtje të futbollit dhe tifozëve.
Në fund, ata u kërkojnë edhe klubeve të mos bëhen “palë e interesave të federatës”, por të qëndrojnë pranë tifozëve që “çdo javë sakrifikojnë për të mbështetur ekipin e zemrës”.
Mesazhi përmbyllet me një frazë të fortë që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale:
“Pa ne, futbolli në këtë vend asht i vdekun!”
#JO_FUTBOLLIT_NE_MESJAVE
#ULTRAS_MENTALITY







