Ka pak shpresë në horizont për të ardhmen e SIndri Gurit në radhët e klubit të Ostende në Belgjikë. Sulmuesi i kritikuar dhe i lënë thuajse në harresë në muajt e fundit nga skuadra belge, mund të shohë përsëri shanset e tij të aktivizimit të rriten, pasi që nga janari, në pankinë nuk do të jetë më norvegjezi Kare Ingebringtsen.
Trajneri ka vendosur të largohet nga Belgjika që në gjysmën e sezonit, për të mos vazhduar me aventurën e tij në radhët e këtij klubi, pasi i është ofruar pankina e APOEL në Qipro.
54-vjeçari ka pranuar ofertën dhe kjo e sotmja, do të jetë ndeshja e fundit që ai drejton në pankinën e klubit, i cili gjithsesi ka bërë të qartë se do të kërkojë pagesën e një penaliteti për largimin e parakohshëm të teknikut.
Nën drejtimin e Ingebringtsen, Guri ka luajtur 12 ndeshje në këtë sezon në kampionat me fanellën e Ostende, duke qenë titullar në 3 prej tyre, ndërsa ka shënuar vetëm 2 gola.
Një bilanc që lë për të dëshiruar, për një total prej 359 minutash për sulmuesin shqiptar për të cilin kohët e fundit është përfolur gjithnjë e më shumë mundësia e huazimit apo transferimit në një klub tjetër. /vipsport/