Ledio Pano, një emër shumë i njohur i historisë së Partizanit, mendon se ekipi aktual nuk ka lojën cilësore të dy fazave të para të kampionatit.

Edhe pse ekipi ishte larg objektivave që në drejtimin e Ilir Dajës, duket se ish-futbollisti e kujton si me një lojë më cilësore, siç u shpreh sot për “SuperSport” pas humbjes me penallti në Kupën e Shqipërisë ndaj Vllaznisë.

“Ky nuk është më ai Partizani i shpejtë dhe i fuqishëm që ishte në shumë ndeshje më parë, në dy fazat e kampionatit. Ka një ulje ritmi, por edhe marrëdhënia ndërmjet lojtarëve nuk është aq e mirë sa duhet”, theksoi ish-futbollisti i Partizanit.

Më pas, ai saktësoi se nuk e kishte fjalën për përplasje mes sportistëve. “Marrëdhënia në fushë them, jo shoqërore. Unë shprehem për individualitet të cilat i shoh në fushë”, tha ai.