Kristian Panuçi duket se do të rikuperojë në formën më të mirë thuajse të gjithë repartin e sulmit, ku dëmtimet dhe mosavktivizimi në vitin 2018 e kishin bërë të improvizonte shpesh me emra të rinj apo edhe lojtarë jashtë pozicionit.

Konfirmimit të Uzunit, rikthimit nga dëmtimet dhe aktivizimi i Çikalleshit e së fundmi Sadikut, i shtohet edhe forma e mirë që po kalon Bekim Balaj.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare po shënon me rregullsi në ndeshjet miqësore që po zhvillon Ahmat Grozni para fillimit të pjesës së dytë të sezonit dhe kështu ka bërë edhe sot, në duelin kundër Petrokub të Moldavisë.

Balaj ka shënuar golin e tretë në fitoren 5-0 të skuadrës së tij, duke u shfaqur përsëri mes golashënuesve të skuadrës, ashtu siç kishte ndodhur më parë edhe në miqësoren ndaj Ludogorets.

Pjesa e parë e sezonit në Rusi nuk ka qenë ndër më të mirat e Balajt që vinte pas dëmtimit të gjatë, pasi sulmuesi nuk ka gjetur ende rrjetën në ndeshjet zyrtare në 10 takimet që ka luajtur në këtë edicion. Goli i tij i fundit në ndeshje zyrtare është pikërisht ai i shënuar në miqësoren e përfaqësueses kundër Uellsit. /vipsport/