Nëse Vllaznia sivjet ka bërë një kampionat shumë të mirë, padyshim që një meritë në rezultatet e arritura ka edhe mbrojtësi i saj i djathtë Erdenis Gurishta.

Ka qenë i vetmi futbollist i cili ka luajtur në të 23 ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Pa munguar asnjë minutë në fushën e lojës dhe kjo bën që ky sezon të jetë për vitrinë.

Për 2070 minuta ka qenë gjithnjë titullar (askush nuk ka më tepër se ai) dhe ky mund të konsiderohet sezoni i Gurishtës.

Ka fituar besimin e stafit teknik dhe konsiderohet tashmë një pjesë e rëndësishme e formacionit kuqeblu teksa mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes por edhe në të majtë.

Por ndërkohë dita e sotme është e veçantë për Erdenis Gurishtën. Feston 24 vjetorin e lindjes dhe padiskutim që kjo ditëlindje vjen në momentin e duhur sportiv. Gazeta “Shkodra Sport” me këtë rast i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe një karrierë sa më të suksesshme në të ardhmen!
© shkodrasport.com