Ditën e sotme do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Kështu, Kukësi do të presë në Kamzë, Skënderbeun. Për verilindorët duket se tashmë Kupa është kthyer në objektivin kryesor teksa mundësitë për të triumfuar në kampionat janë ulur ndjeshëm, pasi Partizanin është shkëputur në krye. Në këtë formë ky do të shërbente si një trofe ngushëllues për Kukësin, teksa nuk mund të mbërrinin tek objektivi parësor.

Në anën tjetër, Skënderbeu është me mendjen nga vendimi i CAS, megjithatë korçarët besojnë se dënimi do të hiqet dhe do të mund të aktivizohen rregullisht në Kupat e Europës. Dhe trofeu i Kupës së Shqipërisë do të ishte një triumf duke parë sezonin me shumë ulje e ngritje të bardhekuqve në kampionat.

Gjysmëfinalja tjetër rezervon përballjen e dy skuadrave që objektiv kryesor kanë mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Luftëtari do të presë në Gjirokastër, Tiranën. Bardheblutë e mendojnë triumfin në Kupë si një ‘barkë shpëtimi’ për sezoni, duke qenë se në kampionat situata nuk është pozitive për skuadrën e Ardian Memës.

Luftëtari ka një pozicion më të qetë në renditjen e kampionatit dhe bluzinjtë e trajnerit Julian Ahmataj janë të fokusuar për të marrë maksimumin dhe për të hedhur një hap drejt finales./vipsport/