Nga dita e sotme, Kristian Panuçi nuk do të jetë më trajner i Shqipërisë dhe këtë e njoftoi në orët e para të mëngjesit FSHF-ja nëpërmjet një komunikate për shtyp.
Trajneri italian para largimit nga Shqipëria, ka folur për ‘Top Channel’ duke u shprehur se ishte një vendim i presidentit dhe se e ka respektuar këtë vendim, ndërkohë që shton se koha do të tregojë nëse është vendim i duhur apo jo.
“Shkarkimi? Ishte një vendim i presidentit dhe unë e pranoj. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe falënderoj të gjithë Shqipërinë. Punova në qetësi të plotë falë presidentit Duka, por në fund rezultatet nuk ishin të mira dhe presidenti vendosi që të më largojë. Ishte diçka shumë e rëndësishme që të isha trajner i një kombëtareje, për këtë arsye i detyrohem të gjithëve një faleminderit.
Ofendimet? Ka gjithmonë një fajtor dhe në këtë rast unë jam përgjegjës. Njerëzit kur humbet Shqipëria vuajnë, në fakt vuaj edhe unë. Gjithsesi kam shumë respekt për të gjithë shqiptarët.
I kam falënderuar sot në mëngjes të gjithë lojtarët për gjithçka që më kanë dhënë deri në momentin e fundit. Uroj që të bëjnë gjëra të mira do të jenë gjithmonë në zemrën time.
A mund të bëjë mirë Shqipëria? E uroj këtë. Shpresoj që ky të jetë një vendim i drejtë, por vetëm koha do ta tregojë”, tha Panuçi. /VipSport/