Në tetorin e vitit 2020, pas humbjes kundër Lituanisë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk u kursye në kritikat e tij publike kundër Elseid Hysajt, duke deklaruar se luante mirë me Napolin por jo me fanellën kuqezi. Një deklaratë që menjëherë solli reagim nga trajneri Reja me heqjen e shiritit të kapitenit nga mbrojtësi për t’ia kaluar Etrit Berishës.

Vetëm 5 muaj më vonë, Duka ka “ndërruar pllakën”  dhe tashmë i thur përsëri elozhe mbrojtësit shkodran për atë që po jep me Shqipërinë. Kështu, në intervistën e tij të fundit për radiot italiane, ai ka vlerësuar kontributin e tij me kuqezinjtë në sfidën kundër Anglisë.

“Ai duket si një lojtar me shumë eksperiencë, por të mos e harrojmë që është ende i ri. Mund të ndihmojë ende Napolin dhe të qëndrojë aty, por nuk di se cilat janë qëllimet e presidentit De Laurentis dhe të stafit teknik.

Kundër Anglisë, dy rastet që krijuam erdhën pikërisht falë Elseidit, ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Ai mund të luajë në të gjitha rolet në mbrojtje, nuk ka probleme që të luajë në të djathtë apo në të majtë. Atij i pëlqen qyteti i Napolit. Tani është bërë napolitan dhe mendoj se do të dëshironte të vazhdonte me fanellën e kaltër”, tha Duka. /vipsport/