Vllaznia mori një fitore tenistike në shifrat 6-1 kundër Pogradecit në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të kupës së Shqipërisë. Rezultat që siguroi edhe një vend në çerekfinale ku shkodranët tashmë do kenë përballë Flamurtarin. Por ajo që habit është fakti se nga 6 golat e shënuar, asnjë nuk u realizua nga një futbollist shkodran.
Rrugën e rrjetës e gjeti dje 3 herë Aralica, e pastaj me rradhë Hoxhaj, Mustedanagic dhe Latifi. Pra asnjë shkodran në listën e golashënuesve. Ndërkohë duket paradoksale që futbollistët shkodranë ishin dje protagonistë me gola me skuadrat e tjera në kupë.
Kështu Denis Pjeshka gjeti rrjetën e rezultatit provizor 1-2 për Flamurtarin kundër Kastriotit. E ky çift do kishte një duel shkodran brenda sepse në krahun tjetër Abaz Karakaçi do realizonte për krutanët. Po ashtu protagonist në Skënderbeu-Bylis të mbyllur 2-2, ne korçarët që u kualifikuan falë penalltive ishte Eridon Qardaku.
Sulmuesi shkodran i ballshiotëve realizoi të dy golat për skuadrën e tij. Në këtë mënyrë duke pasuruar edhe statistikat e tij personale këtë sezon. Edhe kjo duket e çuditshme që shkodranët vijojnë të shënojnë dhe jenë protagonistë me skuadrat e tjera e ndërsa në një fitore të Vllaznisë me 6 gola në listën e shënuesve nuk shohim asnjë emër nga qytetit ynë.
Endri ÇINARI