Vllaznia pas fitores së fundit ndaj Besëlidhjes është thuajse edhe zyrtarisht në Superligë. Kjo do të thotë se e saj duhet të nisin të bëjnë planet për skuadrën e sezonit të ri.

Shumëkush është i mendimit se me përbërjen aktuale që ka ekipi nuk garanton asgjë dhe për sezonin e ardhshëm në Superligë padyshim që duhen bërë përforcime.

Po kush nga futbollistët aktualë do të qëndrojë dhe kush do të largohet? Kësaj pyetje ende askush nuk mundet t’i japë përgjigje ndonëse drejtuesit kanë filluar të krijojnë një ide për secilin prej tyre.

Nga ana tjetër, administratori Lici në takimin që ka patur me skuadrën këto ditë u ka bërë një “paralajmërim” kur ka thënë: “Këto ndeshjet e fundit do të jenë një barometër për secilin prej jush. Kush do bindë, do jetë pjesë e skuadrës në sezonin e ri, të tjerët do të largohen”.

Nga 25 futbollistët që janë aktualisht të federuar me Vllazninë, gjysma e tyre është e sigurtë që do të qëndrojë në skuadër. Problemi i vetëm është gjetja e lojtarëve cilësorë në merkato në mënyrë që të ndërtohet një ekip konkurrues dhe jo që ai të jetë sërish pretendent për rënien nga Superliga.
© shkodrasport.com