Paulin Ndoja është një nga emrat më të njohur në vite në historinë e Vllaznisë. Ish-portieri i kuqebluve, përveç viteve në fushë si lojtar, ka qenë disa herë pjesë e stafit teknik apo drejtues në klubin shkodran dhe tani i është kërkuar që të jetë pjesë e Bordit Drejtues që po riorganizohet për të kthyer Vllazninë aty ku e meriton.

Por Ndoja paralajmëron se për Vllazninë nuk do të jetë aspak i lehtë një rrugëtim i tillë, pavarësisht këtyre iniciativave që janë marrë për të afruar figurat e njohura të klubit për t’i dhënë një ndihmë skuadrës.

“Unë dhe Sabah Bizi, që jemi ndër të vjetrit , menduam se do të shkonim të jepnim një mendim sa i përket kësaj periudhe jashtëzakonisht të keqe, që nuk është se ka ardhur sot, por është sinjalizuar prej vitesh, të paktën 3-4 vitet e fundit.

Por aty pamë që ata kishin dëshirë që të ishim edhe pjesëtarë të bordit”, tregoi Ndoja për RTSH.

“Kthimi është ndoshta gjëja më e vështirë në futbollin shkodran. Nëse ne nuk jemi të bindur dhe të vendosur që të gjithë bashkë të punojmë që të kalojmë nga Kategoria e Parë në Superiore, do të jetë e vështirë.

Asnjë trajner të mos e mendoj se e kalon lehtë këtë punë, është shumë e vështirë për të bërë një ekip që të ngjitet dhe të përgatitet për vitin e ardhshëm për Superioren.

Përndryshe ai do të gabojë shumë e ne do të gabojmë shumë, gjë që nuk ia falim vetes e as nuk na e fal Shkodra”, paralajmëroi ai. /vipsport/