Dyzet e nëntë trajnerë për tre trofe. Shqiptarë, të huaj, rikthime në stol, ky është bilanci i Partizanit sa i përket stafit teknik që prej vitit 1993.
Në vëzhgimin e bërë nga “Panorama Sport”, renditen ata trajnerë që kanë drejtuar “demat” që prej 29 viteve më parë dhe janë plot 49 të tillë. Ndërkohë tre titujt e fundit i kanë fituar nën udhëheqjen e Sulejman Starovës, Skënder Gegës dhe Xhovani Kolelës.
TË RIKTHYERIT- Pas një hulumtimi nga ’93 i largët e deri në 2023-shin, vërehen se nga 49 trajnerët që kanë drejtuar në periudha të ndryshme ekipin, “kampioni” është Sulejman Starova. Dhe jo për vetëm nga titullin që i ka dhënë Partizanit, por prej faktit që është ulur plot 6 herë në stolin e të kuqve (1990-’94; 1996-’97; 2005-’06; 2015-’16, 2016-’17’; 2017-’18).
Nuk është i vetmi ama, pasi pasohet nga Neptun Bajko që në periudha të ndryshme e ka drejtuar 5 herë ekipin (2001; 2002- ’03; 2005; 2006-’07; 2010-’11), ndërsa nga 3 herë kanë qenë Sulejman Mema (2003-’04; 2004-’05; 2005), Shpëtim Duro (2001-’02; 2008-’09; 2014-’15) dhe Hasan Lika (1994-’95; 2006-08, 2013-’14), sakaq nga dy herë u është besuar pankina edhe Genc Tomorrit, Ilir Spahiut, Ylli Shehut, Klevis Dalipit dhe Adolfo Sormanit.
Më jetëgjati është pikërisht Starova, të cilit iu besua drejtimi në vitin ’90 dhe u largua në 94-ën, pasi fitoi titullin. Pas tij, i vetmi që ka rezistuar më gjatë është Hasan Lika, plot 24 muaj (2 nëntor 2006 – 26 tetor 2008).
TË HUAJT- I pari ka ardhur në 2001-shin dhe ka qenë pikërisht bullgari Nikolaj Arabov. Pas tij, italianët u kthyen në “modë”, duke filluar nga Tiziano Gori që erdhi në 2002-shin, Andrea Agostineli (i cili qëndroi 6 muaj në 2016-ën) Adolfo Sormani (rezistoi 4 muaj në 2016-ën), Mark Iuliano (5 muaj në 2017-ën).
Më pas një italian tjetër si Franko Lerda mbërriti pas largimit të Skënder Gegës dhe gjithashtu Sormani u rikthye duke zëvendësuar bashkëkombësin e tij. Ndërkohë Xhovani Kolela është trajneri i huaj i fundit dhe drejton aktualisht Partizanin. Dhe për të mbyllur listën e të huajve është edhe portugezi Marko Sampaio (që qëndroi 4 muaj në 2014-ën).