Partizani do jetë kundërshtari i rradhës në kampionat për Vllazninë ditën e shtunë. Të kuqtë vizitojnë Shkodrën në kuadër të javës së 25-të nesër, në një duel që luhet për titullin kampion. “Demat” tashmë janë në krye të Superiores, me 40 pikë. 4 më shumë se shkodranët në vendin e katërt momentalisht.

16 herë kampionët e vendit vijnë edhe me humorin e duhur në transfertën e nesërme. Kjo pas fitores në shifrat 2-0 në derbi kundër Tiranës. Rezultat që largoi disi vëmendjen nga ecuria jo edhe aq pozitive e të kuqve në javët e fundit e po ashtu që rregulloi disi marrëdhëniet me tifozerinë. Gjithashtu edhe trajneri Colella pas këtij triumfi kundër bardhebluve duket më i qetë në krye të pankinës së Partizanit.

Partizani po ashtu nesër drejt Shkodrës udhëton me grupin e plotë të futbollistëve. Nuk ka asnjë mungesë nga pezullimet e po ashtu nuk pritet të ketë mungesa as nga dëmtimet apo ndonjë shqetësim fizik. Edhe aspekti sportiv i disa futbollistëve tek Partizani është në nivelin e duhur, ku sulmuesi Mba gjeti rrjetën së fundmi. E po ashtu një formë të mirë kanë edhe emra si: Hadroj, Murataj apo edhe Cara.

Dueli pritet shumë interesant ditën e nesërme, ku një sukses i mundshëm i Vllaznisë do bënte shumë të bukur garën. E nga ana tjetër Partizani që do kërkojë shkëputjen në krye të Superiores, në një fushë si ajo e “Loro Boriçit” që nuk ka qenë edhe aq fatsjellëse për ta në sezonet e fundit.
Endri ÇINARI