Partizani dhe Kukësi kanë ndarë pikët në ndeshjen e sotme në “Selman Stërmasin” e boshatisur nga tifozët, në një ndeshje që nuk arriti nivelin e kërkuar nga dy pretendentët për fitoren e titullit. Një barazim që u ka shkuar për shtat të kuqve që kanë ruajtur distancën me rivalë të rrezikshëm për kreun.

Ka qenë një ndeshje me dy tablo, që pa Partizanin të fillonte më vrullshëm e më pas Kukësin të fitonte terren. Por rastet për të shënuar nuk ishin të shumta, duke bërë të ndjehet edhe më shumë zbrazëtia në shkallët e stadiumit në ndeshjen që u luajt pa tifozë për shkak të vendimit të Disiplinës.

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu foli për “Supersport” pas ndeshjes kundër Partizanit, ku u shpreh jo shumë i kënaqur me marrjen e një pikë nga kjo sfidë. Për këtë barazim, Cungu bën “fajtor” portierin Hoxha, duke e quajtur të shkëlqyer:

Normalisht që dëshira e çdokujt është të fitojë ndeshjen, ishte objektivi ynë. Dëshirën dhe mundësitë i treguam në fushë ku ishim afër fitores, Nuk po luanim me ekip dosido por me kryesuesin, e dinim që nuk ishte e lehtë, por jam i kënaqur me atë që dhanë djemtë, Për mosmarrjen e tre pikëve faktor ishte edhe Hoxha, i cili ishte në ditën më të mirë të kampionatit.

Që në fillimin e sezonit, vuajmë për të finalizuar. Në të dy pjesët zbritëm mirë me treshen e sulmit, por mungoi saktësia në zgjidhjen e situatave frytdhënëse. Kjo na ka penalizuar për pikët, si në ndeshjen e parë kur zbriti një herë kundërshtari e na shënoi. Tani jemi më solid në mbrojtje dhe kërkojmë të godasim kundërshtarin.

Dëshira dhe objektivi ishte për të marrë tre pikë, për ta provuar. Fakti që iu afruam nga 12 në 5 pikë kundërshtarit, një trepikësh do të ishte shumë i ngrohtë për ne. Por nuk ka pse të mos jem pjesërisht i kënaqur me një pikë, pasi luanim ndaj vendit të parë, në fushën e tij.

Dëshira pastaj është gjë tjetër. Edhe sot funksionuam, ishim prezent në portë dhe në zonën e kundërshtarit. Në momente të caktuara edhe mund të shënonim, ekipi po funksionon. Por ajo që më gëzon është që edhe futbollistët e ndjejnë dhe po argëtohen në fushën e lojës./vipsport/