Ekipet e Akademisë Vllaznisë pasi kanë kaluar me sukses turin e parë të Kupës së Shqipërisë për grupmoshat respektive, tashmë kanë mësuar edhe emrat e rivalëve të tyre në turin e dytë, atë çerekfinal. Këto ndeshje do të luhen të shtunën në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Kështu, Vllaznia U-19 do të ndeshet këtë herë me ekipin e Partizanit. Një sfidë padyshim shumë e vështirë megjithatë trajneri Zmijani është i bindur se skuadra që ai drejton, i ka mundësitë për të fituar ndaj këtij kundërshtari dhe ndaj çdo tjetri.

Natyrisht që vështirësia këtë herë do të jetë më e madhe se ajo e ndeshjes së kaluar megjithatë djemtë shkodranë nuk i druhen një përballje të tillë ndaj të kuqve. Ndërkohë, ekipi i 17 vjeçarëve të Vllaznisë duket se ka një përballje më të lehtë. Të paktën në letër sepse do të ndeshet me Kukësin. Themi të lehtë duke parë renditjen e këtij të fundit në fazën e parë të kampionatit por në fakt, Kukësi ka qenë i vetmi ekip që e ka mundur atë dhe madje brenda në Shkodër. Kjo do të thotë se trajneri Zhejani dhe futbollistët që ai drejton, duhet ta vlerësojnë maksimalisht këtë sfidë në mënyrë që të mos gjenden sërish ndaj ndonjë të papriture të pëkëndshme. Megjithatë objektivi i Vllaznia U-17 është i qartë, fitorja dhe kalimi në turin gjysmfinal të Kupës së Shqipërisë, madje për të shkuar edhe më tej, deri në fitimin e këtij trofeu. Mundësitë i kanë të dy ekipet e Akademisë Vllaznia për ta bërë një gjë të tillë. Tashmë mbetet vetëm t’i konkretizojnë me fitoret e duhura në fushën e blertë.
© shkodrasport.com