Partizani-Egnatia do të jetë një nga sfidat e tjera që do të luhet për javën e parë të Abissnet Superiore, në orën 19:30 në stadiumin “Elbasan Arena”.
“Demat” vijnë me ndryshime të shumta në futbollistë, por edhe në stol, ku pritet të debutojë me të kuqtë trajneri Giovanni Colella. Ndërkohë, rrogozhinasit e trajnerit Edlir Tetova janë surpriza e këtij edicioni, duke parë merkaton e kryer, teksa janë skuadra e parë me më shumë transferime.
Gjatë javës, trajneri Colella është munduar të qartësojë idetë e tij për formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Egnatias në javën e parë të Abissnet Superiore. Në mbrojtje, Sota ka zënë vendin e të larguarit Egzon Belica, ndërsa në mesfushë janë Rrapaj, Telushi dhe Massanga. Cvetanoski, Hoti dhe Skuka do të mendojnë vetëm për sulmin, teksa afrimet e reja, si Mensah dhe ish-fantazisti i Vllaznisë, Victor Da Silva do ta nisin nga stoli.
Ndërkohë nga ana tjetër, Egnatia ka në përbërjen e saj dy futbollistë shkodranë, siç janë Alen Sherri dhe Abdurraman Fangaj, të cilët që të dy do të jenë titullar në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit në formacionin e trajnerit Edlir Tetova. Poashtu, edhe emrat e afruar së fundmi si Renato Malota, Sodiq Atanda, Emiljano Musta, Arbin Zejnullai, Redon Mihana apo edhe Ilir Camaj, pritet të jenë titullarë nga minuta e parë për të dhënë maksimumin e tyre për sfidën e sotme.
Ndeshja Partizani-Egnatia do të luhet pasditën e sotme në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:30 dhe do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport” dhe në kanalet e RTSH. /Maringlen ZHIVANI/
Partizani-Egnatia, formacionet e mundshme
Partizani (4-3-1-2): Teqja, Hadroj, Sota, Bitri, Atanaskoski, Rrapaj, Telushi, Massanga, Hoti, Cvetanoski, Skuka Tr: Giovanni Colella
Egnatia (4-3-3): Sherri, Fangaj, Malota, Atanda, Musta, Zejnullai, Ojediran, Medeiros, Delarge, Mihana, Camaj Tr: Edlir Tetova