Ish-mesfushori i Partizanit, Ilir Lame, ka bërë një analizë të Partizanit në gjendjen aktuale ku është ekipi. Për “Panorama Sport”, Lame u ndal te largimet e shumta, merkatoja dhe përforcimet që duhen, si dhe te një largim i mundshëm i kapitenit Alban Hoxha, duke thënë se futbolli sot nuk ka më lojtarë flamuj, pasi gjithçka është kthyer në biznes.
Ndërsa për titullin kampion të sezonit të shkuar tha se “diçka e paravendosur” ndikoi dhe se Partizani bëri maksimumin e mundshëm. Sa i takon objektivit titull që ka Partizani për sezonin e ri, u shpreh se e sheh shumë të vështirë fitimin e tij, me grupin aktual që ka Ilir Daja në dispozicion.
Si ju duk Partizani në ndeshjet e Ligës së Konferencës?
Nuk e kam ndjekur shumë Partizanin në ndeshjet e Ligës së Konferencës, por me aq sa e kam parë, nuk mund të them asgjë konkrete. Nuk është kompletuar ende ekipi dhe është në fazë plotësimi. Po dihej që do të ishte e vështirë në takimin kundër Bazelit.
Janë larguar 15 lojtarë deri më tani, si do të ndikojë ky “eksod” i lojtarëve?
Të them të drejtën, shumë janë larguar… I bie që ka ikur gjysma e ekipit, pasi shumica kanë qenë titullarë. Nuk është se janë larguar 2-3 lojtarë dhe ekipi vazhdon punën, por është larguar një ekip i tërë.
Mund të themi se është një eksod që do ta bëjë të vështirë punën. Gjithsesi, kanë afruar disa lojtarë si Musta nga Laçi e Marku nga Shkodra, që janë lojtarë të rëndësishëm. Kanë bërë disa afrime, por priten të bëhen të tjera me lojtarë të huaj.
Pavarësisht largimeve, dihet që Daja u merr maksimumin lojtarëve që ka, por duket se do ta ketë të vështirë. A mendoni se Daja mund të ngrihet në një “protestë”, që të ketë në ekip përforcimet e duhura?
Kërkesat mund t’i ketë trajneri, por varet nga presidenca, si e shikojnë ata, a do të ketë përforcime apo jo. I dinë ata a do të fitojnë titullin apo thjesht duan pjesëmarrjen në Europë.
Daja kërkesat mund t’i ketë bërë, por varet se si do të jenë edhe financat. Gjithçka varet nga presidenca, nëse do të kenë prioritet për të luftuar për titullin, patjetër që duhet të bëjnë afrime dhe cilësore madje, pasi ekipet e tjera po përforcohen ndjeshëm ditaditës. Do të jetë rivalitet i madh sivjet.