HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPartizani ndaj Vllaznisë me Skukën në sulm, por ka një tjetër mungesë...

Partizani ndaj Vllaznisë me Skukën në sulm, por ka një tjetër mungesë të sigurt

Vllaznia rikthehet të luajë në ndeshjen e javës së 16-të ditën e nesërme ndaj Partizanit, në stadiumin e këtyre të fundit. Skuadra e kuqe ka një diferencë prej shtatë pikësh me Vllazninë, e cila është e detyruar të ndjekë momentalisht ecurinë e tyre.

Vllaznia e Mirel Josës do të jetë përballë skuadrës së trajnerit Giovanni Colella, e cila do të jetë një tjetër pretendente direkte për titullin. Jo më kot, ajo kryeson tabelën e renditjes. Megjithatë, Vllaznia ka treguar që skuadrat kryeqytetase sidomos në transfertë i njeh mjaft mirë.

Për Partizanin, në këtë test shumë të rëndësishëm për ta, do të jetë në fushë që nga minuta e parë edhe bomberi Xhuliano Skuka, i cili ka munguar në seancat e fundit stërvitore. 24-vjeçari, që numëron 10-gola këtë sezon në kampionat, do të jetë pikë referimi në sulmin e të kuqve në ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Megjithatë, nëse Skuka do të luajë në ndeshjen e javës së 16-të ndaj Vllaznisë që nga minuta e parë, nuk do të ndodhë kështu me mesfushorin Chandrel Massanga Matondo. 23-vjeçari është rikthyer vetëm gjatë orëve të fundit në Shqipëri pas pushimeve të kaluara në Kongo me familjen e tij.

Në këtë mënyrë, stafi ka vendosur që ai të mos rreshtohet në formacionin titullar, edhe pse në skemat e trajnerit Colella është një pikë referimi. Në vendin e tij pritet të luajë mesfushori tjetër me mjaft eksperiencë Bruno Telushi. Ndërkohë, ndeshja Partizani-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme në orën 16:00.
Maringlen ZHIVANI

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments