Vllaznia rikthehet të luajë në ndeshjen e javës së 16-të ditën e nesërme ndaj Partizanit, në stadiumin e këtyre të fundit. Skuadra e kuqe ka një diferencë prej shtatë pikësh me Vllazninë, e cila është e detyruar të ndjekë momentalisht ecurinë e tyre.

Vllaznia e Mirel Josës do të jetë përballë skuadrës së trajnerit Giovanni Colella, e cila do të jetë një tjetër pretendente direkte për titullin. Jo më kot, ajo kryeson tabelën e renditjes. Megjithatë, Vllaznia ka treguar që skuadrat kryeqytetase sidomos në transfertë i njeh mjaft mirë.

Për Partizanin, në këtë test shumë të rëndësishëm për ta, do të jetë në fushë që nga minuta e parë edhe bomberi Xhuliano Skuka, i cili ka munguar në seancat e fundit stërvitore. 24-vjeçari, që numëron 10-gola këtë sezon në kampionat, do të jetë pikë referimi në sulmin e të kuqve në ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Megjithatë, nëse Skuka do të luajë në ndeshjen e javës së 16-të ndaj Vllaznisë që nga minuta e parë, nuk do të ndodhë kështu me mesfushorin Chandrel Massanga Matondo. 23-vjeçari është rikthyer vetëm gjatë orëve të fundit në Shqipëri pas pushimeve të kaluara në Kongo me familjen e tij.

Në këtë mënyrë, stafi ka vendosur që ai të mos rreshtohet në formacionin titullar, edhe pse në skemat e trajnerit Colella është një pikë referimi. Në vendin e tij pritet të luajë mesfushori tjetër me mjaft eksperiencë Bruno Telushi. Ndërkohë, ndeshja Partizani-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme në orën 16:00.
Maringlen ZHIVANI