Vllaznia do presë Partizanin ditën e mërkurë në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e javës së 12-të të Superligës. Kuqeblutë vijnë në një formë optimale para kësaj përballjeje, por edhe të kuqtë kryeqytetas tashmë kanë kaluar krizën e tyre. Fitoret e fundit kundër Teutës dhe Skënderbeut kanë risjellë optimizëm tek Partizani.
“Demat” vizitojnë Shkodrën në momentin e tyre më të mirë këtë sezon. Por dy personazhe duket se po udhëheqin ekipin e Ilir Dajes në këto momente. Mesfushori Arinaldo Rrapaj gjeti një supergol kundër Skënderbeut ditën e djeshme. Ky ishte edhe goli i tretë këtë sezon për vlonjatin që është një titullar i padiskutueshëm tek 16 herë kampionët e vendit.
Po ashtu sulmuesi Tedi Cara po kalon një moment të shkëlqyer forme. Kavajasi deri më tani numëron 5 gola të shënuar këtë sezon. 21-vjeçari është shënuesi më i mirë i të kuqve dhe një ndër më të mirët e kampionatit. Patjetër ai është rreziku numër një i kundërshtarëve.
Këta dy futbollistë do kenë një vëzhgim special nga mbrojtja kuqeblu. Ku patjetër nuk duhen harruar as lojtarë si Marku, Junior apo edhe Kaçe. Partizani një ekip plot kualitete dhe që në Shkodër do vijë të marrë pikë ditën e mërkurë.
Endri ÇINARI