Debutim ëndrrash për futbollistin Alesio Perloshi me ekipin U17 të Akademisë Vllaznisë. Në të parin takim të lezhjanit të talentuar me kuqeblutë ai ka shkëlqyer duke shënuar dy gola dhe duke marrë njëkohësisht edhe dy 11-metërsha dhe duke ndihmuar ekipin në kualifikimin për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Sulmuesi 16 vjeçar i ardhur kohët e fundit tek Vllaznia U17 ka bërë një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e sotme ndaj Bylisit duke kontribuar në fitoren e thellë 6-0 të ekipit shkodran.

Ai konsiderohet një përforcim i rëndësishëm dhe përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri, i cili është njeriu që e ka përzgjedhur, flet me superlativa për këtë lojtar.

“Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Në ndeshjen e sotme ai la gjurmë me lojën e tij. Shënoi dy gola gjatë lojës, mori dy 11-metërsha dhe bëri gjithçka mirë. Ky lojtar me të dhënat që ka, besoj se do të jetë lojtari i së ardhmes për Vllazninë.

Kuptohet që dëshiroj që Alesio të jetë edhe më i zgjuar se i ati dhe të mos e çoj dëm karrierën e tij por të luajë gjatë me Vllaznisë, ndryshe nga Loni që luajti veç një vit me të.

Me këtë lojtar, Vllaznia U17 besoj se do të ketë një përforcim të rëndësishëm dhe shpresoj që ecuria e saj edhe në kupë ashtu si në kampionat të jetë e mirë dhe do të synojmë deri në fund për fitimin e këtyre trofeve”- shprehet Neziri.
© shkodrasport.com