Sulmuesi shkodran Kevin Zefi ka shënuar sërish për kombëtaren irlandeze të 15 vjeçarëve duke kontribuar në dhënien e fitores kësaj kombëtareje në ndeshjen ndaj Australisë të luajtur mesditën e sotme në Dublin.

Irlandezët ndonëse dy vite më të vegjël në moshë se kundërshtarët e tyre australianë, e kanë dominuar takimin dhe kanë arritur të shënojnë dy gola, nga një për secilën pjesë lojë, në të parën me anë të shkodranit Kevin Zefi dhe në të dytën nga Alex Nolan.

Duhet thënë se shkodrani Zefi është kthyer në një pikë referimi për ekipin irlandez dhe goli i sotëm ka qenë i gjashti për të me kombëtaren U15 të Irlandës.

Në këtë ndeshje ka luajtur edhe shkodrani tjetër Justin Ferizaj i cili këtë herë është aktivizuar në minutën e 41-të megjithatë ka dhënë ndihmën e tij në arritjen e kësaj fitoreje.

Por nga ana tjetër, shkodrani i tretë i kombëtares irlandeze Rocco Vata, nuk është grumbulluar për këtë ndeshje nga ana e stafit teknik të këtij ekipi, por do t’i bashkohet asaj për turneun e fundit të muajit në Murcia të Spanjës.

Kësisoj, tre futbollistët shkodranë që janë pjesë e kombëtares U15 të Irlandës janë kthyer në elementë të rëndësishëm për të dhe natyrisht që premtojnë shumë për të ardhmen.
Gjergj KOLA