Ramadan Ndreu u kthye në shtëpi. Pas 19 muajsh shkëputjeje, rimerr “timonin” e Kastriotit. I gjen krutanët në një situatë jo fort të mirë, e megjithatë është gati t’i ringrejë.

Punë do të ketë vërtet shumë, pasi ka një ekip që duhet ribërë i gjithi. E megjithatë, ai ka treguar se sfida të tilla nuk e trembin. Gjatë një interviste të dhënë per mediat, 57-vjeçari tregon si shkoi drejt firmës me drejtuesit dhe planin për Kategorinë e Parë.

“Është kënaqësi e veçantë për mua që të rikthehem në shtëpi. Gjithë karrierën time si futbollist dhe si trajner unë e kam kaluar te Kastrioti, ndaj këtu kam zemrën dhe shpirtin.Kthehem me dëshirë dhe me shpresën e madhe për ta rikthyer Kastriotin aty ku i takon, në Superiore.

Marrëveshja me presidentin? Ka qenë gjithnjë e arritur. Edhe ndarja para një viti e gjysmë, ishte një ndarje mes miqsh. Na lidh miqësia me njëri-tjetrin, por edhe dëshira për të punuar bashkë. Përtej miqësisë, serioziteti në punë është primar. Edhe kur kemi punuar bashkë më parë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Kështu që nuk më pengonte asgjë për të pranuar ftesën e presidentit Vogli për të marrë drejtimin e ekipit.

Me tifozët kam një lidhje zemre, shpirtërore prej më shumë se 25 vitesh dhe nuk ndahemi kurrë. Ata nuk na kanë braktisur asnjëherë. Kastrioti do t’i zhvillojë ndeshjet zyrtarë në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës dhe kjo do të bëjë që ata të jenë shumë afër nesh. Tifozët do të vazhdojnë të jenë mbështetja jonë e madhe, ndërkohë që na është premtuar që në janar 2024 të fillojë rikonstruksioni i stadiumit “Kastrioti”- eshte shprehur Ndreu.