Ditën e djeshme ka qenë kapiteni Gilman Lika ai që duke pranuar edhe përgjegjësit e tij dhe të shokëve të skuadrës për gjendjen aktuale të Vllaznisë, u ka bërë thirrje tifozëve të jenë të pranishëm në stadium për t’i mbështetur për ndeshjen e sotme me Lushnjen. Sot ndërkohë ka qenë rradha e vetë klubit për t’i bërë një thirrje tifozëve për ta mbështetur ekipin në këtë ndeshje që konsiderohet e rëndësishme për kthesën e tij në rezultate. Përmes faqes zyrtare, vetë klubi përveç thirrjes për të qenë në stadium, ka publikuar edhe çmimet e biletave për këtë ndeshje. Mësohet se ato janë sërish të lira teksa në 80 për qind të stadiumit, një biletë kushton vetëm 200 lekë të reja. Bëhet fjalë për biletat e tribunave C, D dhe E. Sakaq, në tribunën qendrore, pikërisht në tribunat A dhe B, një biletë do të kushtojë 500 lekë ndërsa në tribunën VIP një biletë kushton 1000 lekë. Shitja e biletave ka nisur në fakt që ditën e djeshme ndërsa sportelet sot kanë hapur që në orën 09.00. Në rrjetet sociale në fakt nuk kanë munguar as thirrjet për ata tifozë që e ndjejnë veten vërtetë të tillë, për të qenë sot të pranishëm në stadium për ta mbështetur Vllazninë në takimin ndaj lushnjarëve.

© shkodrasport.com