Bashkia Shkodër duket se e ka marrë seriozisht ndërhyrjen në infrastrukturën sportive. Pas planifikimit të 600 milionë lekëve për ndërhyrjen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, institucioni i pushtetit lokal ka vendosur që të hedhë sytë edhe nga stadiumi “Loro Boriçi”.
Dhe gjëja e parë që ka bërë ka qenë “vendosja e emrit”. Në fakt emrin ky impiant sportiv e ka prej 35 vitesh, por pas ndërtimit të stadiumit të ri, ai nuk ka qenë i shkruar askund dhe për një të huaj apo të tjerë që nuk kishin lidhje me sportin, nuk dihej se çfarë ishte dhe çfarë emri kishte.
Si rrjedhojë, ditën e sotme në hyrje të tribunës qendrore është vendosur shkrimi “Stadiumi Loro Boriçi”. Dikush mund të thotë se kjo është diçka e thjeshtë, por në fakt, ky impiant sportiv që prej vitit 2016 kur është ndërtuar nuk ka pasë emër në të. E “harroi” Federata Shqiptare e Futbollit për t’ia vënë pas ndërtimit të tij, e harruan edhe administratat e mëparshme të Bashkisë Shkodër pas marrjes në dorëzim të tij.
Dhe kjo gjë e thjeshtë përfundoi sot. Por mesa duket ndërhyrja në stadium do të vijojë. Pjestarë të Bashkisë kanë bërë të ditur se shumë shpejt do të fillojë zëvendësimi i sediljeve në tribunën VIP me të reja duke ia ndryshuar tërësisht imazhin e shëmtuar që ka aktualisht. Po ashtu, do të bëhet edhe zëvendësimi i pankinave të dëmtuara. Po ashtu, edhe ndërtimi i një palestre të re për ekipin e atletikës së Vllaznisë.
Padyshim që ndërhyrje të tilla nuk janë zgjidhje për të gjitha problemet që ka futbolli apo lojërat me dorë, por e rëndësishme është që Bashkia nga viti në vit po i hedh sytë gjithnjë e më shumë nga sporti, që nuk kishte ndodhur prej vitesh. Kuptohet që “qershia mbi tortë” do të ishte ndërtimi i një kompleksi të ri sportiv, por të shpresojmë që edhe ky premtim i bërë të mbahet sa më parë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


