Pasi u vlerësua si trajneri më i mirë i Serisë A për muajin tetor, Stefano Pioli i shton edhe një tjetër çmim karrierës së tij, siç është ai “Liedolm”. Motivimi është për arritje sportive dhe vlera të larta jashtë fushës. Në këtë kuadër, tekniku i Milanit ka dhënë edhe një intervistë ekskluzive për televizionin e klubit.

Sa rëndësi ka ky vlerësim për ju?

Nils Liedolm ishte një futbollist i madh, një trajner fantastik dhe një njeriu i madh i sportit. Ndihem i nderuar për këtë çmim.

Ai qëndroi shumë vite te Milani. Keni edhe ju të njëjtin plan apo synoni kombëtaren?

Me drejtuesit e Milanit kemi një harmoni të madhe dhe së bashku punojmë në sinergji. Vullneti i të dyja palëve është vazhdimi i këtij projekti. Sa për kombëtaren, ajo është në duar të sigurta. Ndoshta një ditë, nuk i dihet…

Në janar prisni përforcime në merkato apo llogarisni të rikuperoni të dëmtuarit?

Riaftësimi i disa lojtarëve është primar. Uroj që shumicën e grupit ta kem në dispozicion që në javën tjetër. Organika është e nivelit të lartë dhe sezonin e kemi nisur mirë, por zotësia qëndron në vazhdimin me këtë ritëm.

E ndieni veten në brendi të Milanit më shumë se dy vite më parë?

Mendoj se raporti mes meje dhe klubit po rritet vazhdimisht. Kam ndier energjinë e duhur që në fillim të këtij rrugëtimi dhe motivimet më shtohen çdo ditë. Duhet të jemi të zotë që të vijojmë me këtë përulësi dhe këtë vazhdimësi rezultatesh. Na presin sfida të vështira, por nëse do të kemi këtë vendosmëri, atëherë mund të bëjmë shumë gjëra pozitive.

Ndeshja e radhës është kundër Fiorentinës, një klub ku ndatë rrugëtimin me Davide Astorin. Çfarë kujtimesh keni?

Davide kishte vlerat e një sportisti korrekt, të urtë dhe bujar. Ndeshjet kundër Fiorentinës nuk do të jenë kur rë normale për mua. Sa për përballjen në vetvete, pres luftë kundër një skuadre e cila luan mirë. Edhe ne do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë.

Ku mund të rritet ende ky Milani?

Milani po rritet në shumë aspekte. Jemi më të ndërgjegjshëm, më të pjekur, megjithatë duhet të jemi më të bashkuar në disa situata të vështira. Ka ndeshje që nevojitet më tepër cinizëm, ndaj them se ekipi im mund të përmirësohet ende shumë.

U druheni sforcove që Ibrahimoviçi po bën në kombëtare?

Jam i lumtur që Zlatani është grumbulluar sepse do të thotë që po bën mirë. Nuk kam aspak frikë se mund të lodhet sepse është një kampion që kujdeset për veten dhe sepse ndeshja SuediSpanjë është të dielën, ndërsa ne luajmë të shtunën. Përvojat e Ibrës janë të rëndësishme dhe kanë ndikuar në rritjen e skuadrës.