Ardit Krymi është transferuar në Bjellorusi te Shaktjor Soligorsk. Vllaznia po punon për pasuesin e tij dhe duket se e ka pikasur.

Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë klubit se prej disa ditësh klubi është në bisedime me Lorik Boshnjakun.

Mesfushori prej disa sezonesh është aktivizuar me Prishtinën dhe është një njohje e vjetër për trajnerin Mirel Josa, pasi kanë punuar së bashku në kryeqytetin dardan.

26-vjeçari është pjesë e Prishtinës që nga viti 2014, ku dalëngadalë ka fituar formacionin dhe është bërë një nga mesfushorët difensivë më të mirë të kampionatit të Kosovës.

SITUATA – Merkaton e Vllazninë e mbajnë pezull rinovimet e lojtarëve, që janë në fund të kontratave të tyre.

Largimi i ish-drejtorit sportiv Matko Djarmati, dhe mungesa e një pasuesi deri më tani, e ka ngadalësuar procesin e konfirmimeve te shkodranët.

Një pjesë e mirë e lojtarëve më të rëndësishëm të Vllaznisë janë në dyshim për qëndrimin e tyre në ekipin kuqeblu. Një nga të paktët, që ka arritur një akord paraprak, megjithëse jo të firmosur zyrtarisht, është portieri Bojan Zogoviç.

Ky i fundit u ka dhënë fjalën drejtuesve për rinovimin e kontratës të paktën edhe për një tjetër sezon.

Ndërkohë, ditë më parë klubi njoftoi edhe rinovimin me Ardit Hoxhajn, i vetmi konfirmim zyrtar deri në këto momente.

Esin Hakaj është lojtari i parë, i cili është në dyshim për të ardhmen e tij.

Ish-mbrojtësi i Partizanit është në kërkim të një aventure jashtë vendit, teksa gjysma e së keqes për momentin është fakti se ai ka kontratë me Vllazninë deri pas ndeshjeve të Ligës së Konferencës, çka do të thotë se Josa do ta ketë në dispozicion të paktën në raundin e parë të këtij kompeticioni.

Vllaznia i ka ofruar rinovimin, por ofertat nga jashtë vendit e kanë vënë në mendime 25-vjeçarin.

Nga ajo që është raportuar deri më tani, dëshira e lojtarit është luajë jashtë Shqipërisë, teksa Vllaznia është primare në vendin tonë.

Mevlan Adili është një tjetër lojtar që duhet të vendosë për të ardhmen e tij.

Mbrojtësi është treguar një lider në çdo ndeshje me kuqeblutë, dhe në rast largimi do të linte një hapësirë të madhe në difensivën e fituesve të Kupës së Shqipërisë.

Vllaznia ka kërkuar rinovimin e Adilit, por mbrojtësi është në pritje të ofertave nga jashtë vendit.

Ndërkohë, edhe rinovimi me Jonuzin është pezull. Partizani i ka bërë një propozim kuksianit, por ai po mendohet dhe do të presë edhe propozimin e fundit nga ana e Vllaznia.

Përveç Partizanit, ai ka një mundësi transferimi edhe jashtë vendit. Da Silva është një tjetër emër që do t’u kthejë një përgjigje drejtuesve të Vllaznisë, pasi i ka përfunduar kontrata. Në drejtim të tij nuk mungojnë ofertat.