Skuka flet rrallë dhe flet pak. Pas çdo goli bën gjestin me dy gishta mbi pëllëmbë dhe nuk ia tregon askujt domethënien e atij veprimi. Ka ikur 10 vjeç në Francë si emigrant dhe e pranon që ka shumë defekte, por nuk bëhet kurrë pishman për zgjedhjet që bën. Në një rrëfim unik për “Panorama Sport” bomberi 24-vjeçar i Partizanit tregon anën tjetër. Atë të një djaloshi në prag fejese, që nuk konsumon kurrë alkool dhe që topin nuk e do në këmbë, por në… hapësirë.

Sa e keni numrin e këmbës?
43.

Sa kilogramë peshoni?
Rreth 80 kg.

Çfarë dini të bëni tjetër përveç futbollit?
Më pëlqen basketbolli dhe moto-krosi.

Kur keni pirë alkool për herë të fundit?
Para shumë viteve, sepse kaloj direkt në helmim nëse e pi. Më bën reaksion.

Ju pëlqen më shumë makina apo motori?
Në verë motori, në dimër makina.

Kush kujdeset për dietën tuaj?
Te hoteli i Partizanit kemi dietë të përcaktuar.

Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Kur shkoj në Dibër më pëlqen shumë të ha gjellë me patate, ndërsa këtu në Tiranë makaronat.

Sa gjuhë të huaja dini?
Anglisht dhe frëngjisht dhe… kaq. Ndoshta konsiderohet edhe shqipja, sepse unë jam edhe francez (qesh).

Si keni ikur në Francë?
Kam shkuar shumë i vogël. Kam qenë me një shok dhe babin e tij.

Sa vjeç ishit kur u nisët për atje?
Isha rreth 10 vjeç. Kam qenë shumë i vogël.

Si vendosën prindërit t’ju linin të largoheshit kaq i vogël?
Po tani, sakrificë…

Pra ata e dinin që në fillim idenë për t’u larguar?
Po, po. Në fillim unë ika për futboll, por rrugës ndryshuan edhe planet.

Çfarë bënit atje?
Atje shkoja në shkollë dhe stërvitesha në futboll.

Cili është trajneri që ju ka ndihmuar më shumë deri më tani?
Të them të drejtën nuk është një, por janë dy. Është Dorian Bubeqi dhe profesor Tan Mehmeti.

Për çfarë ju ndihmoi Bubeqi?
Kur erdha në fillim Kategoria e Parë ishte shumë fizike. Unë isha gjithashtu një lojtar që krijoja shumë raste dhe te finalizimi çaloja. Dhe profesori më jepte shumë zemër. Më thoshte: Mos e vrit mendjen, do të humbasësh pesë, por do të shënosh të gjashtin.

Po Mehmeti?
Ai dihet, më ka dhënë një ndihmë të madhe për të arritur në këto nivele që jam sot te Partizani.

Ju pëlqen më shumë Benzema, Levandovski apo Herri Kejn?
Meqë e kam patriot, Benzema (qesh).

Kush është mbrojtësi më i vështirë për ju në Superiore?
Nuk e di, të them të drejtën. Janë disa, sepse këtu ka cilësi, por besoj se më i miri në Superiore, që unë has vështirësi edhe në stërvitje, është Eneo Bitri. Më mbyt.

Si merreni vesh me trajnerin Kolela?
Profesor Fatjoni (Tafaj) na përkthen, sepse unë nuk di italisht. Por me profesor Kolelën bëj golin dhe je në rregull.

Cili nga shokët tuaj te Partizani është më autoritar?
Më serioz dhe autoritar normalisht është Albani (Hoxha). Edhe Telushi gjithashtu. Por që është më shumë pranë grupit, që flet dhe komunikon me të gjithë, është Eno (Bitri).

Kush është më shakaxhiu?
Hadroj.

Çfarë muzike ju pëlqen më shumë?
Muzika franceze.

Jeni i lidhur, i fejuar apo i martuar?
Jam i lidhur, gati në fejesë.

Çfarë bëni zakonisht në kohën e lirë?
Zakonisht luaj “Play Station”. Si gjithë bota, kaloj kohë edhe në rrjetet sociale.

Çfarë nuk bën kurrë para një ndeshjeje?
Unë jam pak supersticioz, por nuk mund të veçoj diçka tani.

Jeni i pasur apo i varfër?
Unë edhe 200 lekë të kem në xhep, them se kam sa të duash.

Çfarë ju nervozon më shumë gjatë një ndeshjeje?
Nuk e di tamam. Këto kohët e fundit mërzitem, jo nervozohem, kur nuk ma japin topin në hapësirë, por ma japin në këmbë. Unë nuk jam tipi i lojtarit që luaj shumë me topin.

skuka

Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit një klub të madh europian, ku do të dëshironit të luanit?
Unë ekipet i zgjedh sipas tifozërisë. Po nuk pashë tifozë në stadium, nuk më bëhet të luaj. Unë dua ta ndiej ndeshjen dhe klubet që kanë tifozëri të zjarrtë janë Marseja apo Borusia Dortmund. Këto që kanë tifozëri të zjarrtë më pëlqejnë. Por një klub tjetër që do ta kisha ëndërr të luaja është Barcelona, në “Camp Nou”.

Çfarë ju bën më shumë për të qeshur?
Memet në “Tik-Tok”. Nuk më zë gjumi po nuk pashë dy orë.

Cili është gabimi më i madh që keni bërë?
S’e di. Gabime kam bërë plot, por nuk bëhem pishman asnjëherë. Kur e bëj diçka, kam dashur ta bëj dhe mbaroi.

Çfarë keni dashur të bëheni kur keni qenë i vogël?
Futbollist, gjithmonë.

Si quhet shoku juaj më i ngushtë?
Arjan Skuka, babai im.

A keni ndonjë ritual që e bëni para ndeshjes?
Lutem në Zot. Kam shumë besim.

Kush ju kritikon më shumë?
Babai.

Bëni dhurata më shumë, apo ju bëjnë?
Bëj.

Jeni koprrac apo i prishni paratë?
I prish shumë.

Përse e bëni atë shenjën me dy gishta pasi shënoni?
Nuk ja kam treguar asnjërit, por mund të them vetëm se është diçka në lidhje me familjen. Nëse e tregoj, nuk ka më kuptim.

Ku mendoni se do të jeni pas 4-5 vitesh?
Unë jam tip që besoj shumë në vete dhe them se do të jem në një ekip shumë të mirë./PANORAMA-SPORT/