Anglia ka fituar pas 11-metërshave në 1/-8 e finaleve të Kupës së Botës 2018 kundër Kolumbisë.Pasi pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, ndërsa kur u mbush një orë lojë erdhi goli i parë i ndeshjes në “Spartak Stadium” të Moskës.

Carlos Sanchez shkaktoi faull ndaj Kane, gjatë një goditje nga këndi dhe vetë kapiteni i Anglisë mposhti portierin Ospina, duke kthyer në gol 11-metërshin e dhënë nga gjyqtari amerikan Geiger.

Kane, që me gjashtë gola është golashënuesi më i mirë i këtij kampionati botëror, bëhet futbollisti i parë që nga viti 1938 që shënon në gjashtë ndeshje radhazi të luajtur me Anglinë.

Gjithsesi, në minutën e tretë të shtesës Kolumbia barazoi. Portieri Pickford bëri një pritje të mrekullueshme, duke shpëtuar portën nga një gol i sigurt, por nga goditja e këndi që pasoi, Jerry Mina shënoi me kokë golin e barazimit për amerikano-latinët, duke i detyruar dy skuadrat të shkojnë në kohën shtesë.

Ky ishte goli i tretë për Mina në këtë Botëror dhe mbrojtësi i fundit që kishte shënuar tre gola në veprimtarinë elitare ka qenë gjermani Paul Breinter në vitin 1974. Plot 20% të golave të shënuar në Rusi kanë ardhur në dhjetë minutat e fundit.

Lotaria e penalltive ishte si gjithmonë emocionuese. Falcao realizoi 11-metërshin e parë, teksa menjëherë erdhi përgjigja me golin e Harry Kane. Më pas shënuan me radhë, Cuadrado, Rashford, Muriel deri te gabimi fatal i Jordan Handerson.

Gjërat u barazuan me traversën e goditur nga Urribe dhe golin e Trippier. Carlos Bacca humbi penalltinë e pestë për Kolumbinë, e pritur nga Pickford, ndërsa Dier realizoi golin e triumfit për Anglinë, që kualifikohet për herë të parë me penallti në një Botëror.

Në çerekfinale, më 7 korrik, Anglia do të ndeshet me Suedinë, që eliminoi Zvicrën. Fituesja e këtij çifti do të përballet me Rusinë ose Kroacinë në gjysmëfinale.