Keidi Bare ka menduar një mënyrë speciale për t’u stërvitur në prag të ndeshjes kundër Majorkës së Muriqit në kampionat.

Mesfushori i Espanjolit, që për disa ditë pritet të luajë me Kombëtaren shqiptare në miqësoren kundër Spanjës, pikërisht në stadiumin e tij ka ndarë disa foto në rrjetet sociale ku shihet teksa stërvitet në plazhin e Barcelonës.

Dihet që ushtrimet në rërë janë një stërvitje force dhe për këtë Bare po mendon për më shumë muskuj në gjymtyrët e poshtme.

Espanjoli do të luajë ditën e diel në shtëpi ndaj Majorkës, teksa për renditjen aktuale ndodhet në vendin e 12-të me 33 pikë të grumbulluara, nëntë pikë nga zona e ftohtë.

Ndërsa sa i përket mesfushorit fierak, që para dy ndeshjesh shënoi edhe kundër Vijarealit, ka prenotuar një vend në mesfushën e Vinsente Morenos.

Bare, deri në këtë pikë të sezonit është aktivizuar 20 ndeshje dhe pjesën e mbetur, rreth tetë ndeshje i ka humbur për shkak të dëmtimeve të lehta që ka pësuar. Ndërkohë, me fanellën e Espanjolit mesfushori ka grumbulluar në total 52 ndeshje.