I është dhënë sot lamtumira e fundit njërit prej personaliteteve më të njohura të historisë së futbollit shqiptar, “Mjeshtrit të Madh të Sportit”, Medin Zhega, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë në moshën 66 -vjeçare. Gjatë ceremonisë së homazheve, që u zhvillua në hollin e Pallatit të Kongreseve personalitetet më të larta të shtetit dhe politikës, njerëz të sportit, miq dhe të afërm janë përulur me respekt përpara trupit të pajetë.Ka marrë pjesë në këto homazhe edhe presidenti i Republikës Bamir Topi në shenjë nderimi dhe vlerësimi të veçantë për kontributin e rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e futbollit shqiptar ndër vite, si lojtar, specialist dhe trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit të Medin Zhegës. Në mjediset e Pallatit të Kongreseve, Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule pranë trupit të pajetë të personalitetit të shquar të sportit shqiptar, si dhe i shprehu ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të ish-futbollistit dhe trajnerit Zhega.
“Sot, me hidhërim të thellë përcjellim me lamtumirën e fundit, Medin Zhega, të paharruarin, një personalitet i shquar jo vetëm i botës së sportit, por dhe një qytetar i devotshëm, një njeri, me të cilin kam pasur njohje të drejtpërdrejtë, duke pasur rastin që të ma rrisë mundësinë për ta vlerësuar atë në radhë të parë si njeri me karakter të fortë, gjë të cilën ai e demonstroi jo vetëm në botën e sportit, por edhe në politikë, dhe në radhë të parë, në marrëdhënie me qytetarët, me kolegët e tij. Kjo është arsyeja që ai nderohet sot nga të gjithë. Shpirti i tij u prehtë në paqe!”- deklaroi Topi për mediat pasi kreu homazhe pranë trupit të pajetë.
TOPALLI:ZHEGA PËRFAQËSOI ME DINJITET KOMBËTAREN SHQIPTARE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli bëri sot homazhe në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në nderim të ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të Kombëtares Medin Zhega.
Pasi ngushëlloi familjarët për humbjen e njeriut të dashur dhe gjithë sportdashësit për humbjen e një prej ikonave të futbollit shqiptar, në një prononcim për mediat, kryetarja e Kuvendit vlerësoi figurën prej kampioni të Medin Zhegës, si një nga futbollistët që ka krijuar emocione të pafundme, që kur luante tek ‘Vllaznia’, dhe më pas në të gjithë karrierën e tij në futbollin shqiptar. “Zhega ishte një njeri ndër më të dashurit për qytetin dhe skuadrën e tij, për kombëtaren, për çdo shqiptar. Emocionet që ai u ka dhënë shqiptarëve mbeten në mendjen dhe shpirtin e çdo qytetari. Ishte një shqiptar i jashtëzakonshëm dhe sot ne kemi humbur një njeri të dashur, i cili përfaqësoi në mënyrën më dinjitoze kombëtaren shqiptare”, tha Topalli. Përveç këtyre figurave, sigurisht që kanë rënë në sy edhe disa nga veteranët e futbollit shkodran që kishin udhëtuar posaçërisht për t’i dhënë lamtumirën këtij kollosi të futbollit.