Vllaznia ditën e djeshme ishte në Ballsh për të luajtur në kuadër të kupës së Shqipërisë. Shkodranët u ndeshën me vendasit e Bylis për 1/8 të këtij kompeticioni, ku në ndeshjen e parë arritën një fitore 0-2. Sukses që jep një qetësi për ndeshjen e kthimit në Shkodër, ku ekipi duket se ka hedhur një hap të sigurtë për kualifikimin.

Do ishin golat e Jonuzit dhe Kainas që do vendosnin gjithçka dje në Ballsh. Por ekipi në përgjithësi kishte një performancë pozitive, pavarësisht se luhej në një terren shumë të vështirë. E gjithashtu Josa kishte vendosur ti jepte shansin disa prej futbollistëve të stolit. Një prej tyre ishte edhe portieri , Kristi Qarri. Gardiani nuk ka pasur hapësira në kampionat, ndërsa në kupë ka ndodhur e kundërta.

Me disa pritje vendimtare, ai e la portën shkodrane të paprekur ditën e djeshme. Madje performanca e 22-vjeçarit vlerësohet edhe nga vetë faqja zyrtare e Vllaznisë në Facebook. Ku në rrjetin social shkruhet se Qarri ka 265 minuta pa pësuar gol në kupën e Shqipërisë këtë sezon. Duke qenë në këtë mënyrë i pakalueshëm në këtë kompeticion.

Madje ai cilësohet si e ardhmja e ekipit dhe e portës kuqeblu. Patjetër që ky fakt duhet të shërbejë më shumë për të motivuar Qarrin. Që do kërkojë të jetë një konkurrent sa më i fortë për Zogoviç në të ardhmen.
Endri ÇINARI